Izraeli zgjeron sulmet në Iran teksa digjen objektet energjetike në rajonin e Gjirit
Izraeli e ka zgjeruar fushën e sulmeve ndaj Iranit natën e 18 marsit, duke thënë se kreu sulme ajrore në veri të vendit, ndërsa mediat izraelite raportuan se anijet luftarake iraniane po e godasin bregdetin e Detit Kaspik.
Izraeli e sulmoi veriun e Iranit dhe njëkohësisht i goditi edhe objektet e infrastrukturës energjetike iraniane në rajonin e Gjirit. Në anën tjetër, Teherani u kundërpërgjigj duke qëlluar ndaj objekteve të naftës dhe gazit në vendet arabe të Gjirit.
Sulmi i Izraelit në veri ishte i pari në atë pjesë të Iranit që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael më 28 shkurt, pasi shumica e sulmeve të mëparshme ndodhën në Teheran, Iranin qendror dhe perëndimor.
“Forcat Ajrore Izraelite, duke vepruar mbi bazën e inteligjencës së marinës dhe të IDF-së, filluan të godasin objektiva në Iranin verior për herë të parë gjatë Operacionit ‘Ulërima e Luanit’”, tha ushtria, duke iu referuar Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.
Këto raportime nuk mund të verifikoheshin menjëherë dhe nuk kishte të dhëna për efektet e sulmeve.
Lajmet për sulmet në veri vijnë ndërsa lufta me Iranin po përhapet dhunshëm në zona të tjera të rajonit, pasi Teherani shënjestron aleatët e SHBA-së, veçanërisht shtetet arabe të Gjirit.
Irani godet objektet energjetike, kërcënon me më shumë sulme
Irani kërcënoi se do t’i sulmojë objektet energjetike në gjithë rajonin pasi deklaroi se fusha e tij gjigante e gazit Parsi Jugor u godit më 18 mars, në sulmin e parë të raportuar ndaj infrastrukturës së Gjirit që nga fillimi i fushatës së bombardimeve SHBA-Izrael.
Mediat izraelite raportuan se sulmi u krye nga Izraeli me pëlqimin e SHBA-së, por presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë tha në Truth Social se Uashingtoni nuk ishte në dijeni për sulmin paraprakisht, duke shtuar se Izraeli kishte “goditur me forcë” objektin kyç energjetik.
Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi paralajmërime për evakuim për disa objekte nafte në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke thënë se ato do të ishin cak i sulmeve “në orët në vijim”.
Disa orë më vonë, në mëngjesin e 19 marsit, Irani tha se kishte sulmuar përsëri objektin, ndërsa zyrtarët e Katarit thanë se sulmet e fundit shkaktuan zjarre dhe “dëme të mëdha” në vend. Më vonë, zyrtarët thanë se të gjitha zjarret ishin shuar.
Trump premtoi më 18 mars se nuk do të ketë më sulme izraelite ndaj objektit “jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të vlefshëm” të Parsit Jugor.
Megjithatë, ai paralajmëroi Teheranin se forcat amerikane do ta “shkatërrojnë plotësisht” të gjithë objektin nëse Irani e sulmon përsëri Katarin. Nuk është e qartë nëse Trumpi ishte në dijeni të sulmit të dytë të raportuar iranian ndaj objektit në Katar.
Në një tjetër sulm të dukshëm ndaj sektorit energjetik, Arabia Saudite tha se kishte shkatërruar katër raketa balistike që po vinin drejt Riadit dhe raportoi një tentim sulm me dronë ndaj një objekti gazi në lindje.
Copëza të një prej raketave ranë pranë një rafinerie në jug të kryeqytetit, tha Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, në Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, operacionet u pezulluan në objektin e gazit Habshan pasi autoritetet reaguan ndaj dy incidenteve pas interceptimit të një rakete.
“Autoritetet e Abu Dhabit po reagojnë ndaj incidenteve në objektet e gazit në Habshan dhe në fushën e naftës Bab, të shkaktuara nga mbetjet pas rrëzimit të suksesshëm të raketave”, tha zyra për media e Abu Dabit më 19 mars. “Objektet e gazit janë mbyllur.”
Çmimet e naftës rriten bujshëm
Çmimet e naftës po rriten vazhdimisht mes frikës për ndërprerje të mëdha në industrinë globale të naftës. Nafta Brent që u rrit më shumë se 5 për qind, në 112.84 dollarë për fuçi.
“Shqetësimi më i madh është mundësia e sulmeve ndaj tubacionit lindje-perëndim të Arabisë Saudite ose objekteve të eksportit në Detin e Kuq, të cilat së bashku me Fuxhaira ofrojnë të vetmen alternativë të rëndësishme ndaj Ngushticës së Hormuzit”, tha Torbjorn Soltvedt, analist për Lindjen e Mesme në kompaninë Verisk Maplecroft, sipas Reuters.
Trump ka thënë se po formon një koalicion për të shoqëruar anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme ujore për sektorin e naftës që Teherani e ka mbyllur tashmë. Megjithatë, shumica e aleatëve të SHBA-së nuk duan t’i bashkohen kësaj përpjekjeje.
Sulmet vijnë ndërsa regjimi në Teheran vazhdon të pësojë goditje vdekjeprurëse ndaj udhëheqjes të tij.
Irani më 18 mars konfirmoi vdekjen e ministrit të tij të Inteligjencës, Esmail Khatib, një ditë pasi pranoi se dy figura të tjera të larta ishin vrarë.
Në Uashington, zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane tha se Qeveria iraniane “duket të jetë ende funksionale, por e dëmtuar rëndë nga Operacioni Tërbimi Epik”, emri amerikan për operacionin ushtarak.
Khatib ishte i fundit në një numër në rritje të figurave të larta iraniane që janë vrarë që nga vdekja e liderit të kamotshëm suprem, Ali Khamenei, më 28 shkurt, ditën e parë të fushatës SHBA-Izrael.
Djali i tij, ajatollah Mojtabi Khamenei, nuk është parë në publik qëkurse u emërua lideri i ri suprem.
Viktima në Izrael
Derisa Izraeli vazhdon t’i intensifikojë sulmet ndaj Iranit dhe Libanit – duke goditur organizatën Hezbollah, e cilësuar terroriste nga SHBA – ai po pëson gjithashtu viktima dhe dëme nga sulmet hakmarrëse iraniane në territorin e tij.
Mëngjesin e 19 marsit, shërbimi izraelit i ambulancës tha se një punëtor i huaj u vra në Moshav Adanim gjatë një sulmi me raketë iraniane, ndërsa mediat izraelite raportuan se një person tjetër u vra nga një shpërthim në rajonin Sharon.
Në Bregun Perëndimor, autoritetet palestineze thanë se mbetje raketore goditën një sallon flokësh, duke vrarë të paktën tri gra më 18 mars./REL
Fraksion.com

