AktualitetPolitikëTë fundit

“Evropa e Bashkuar do të ishte e paplotë pa Shqipërinë”, Begaj: Vullnet i përbashkët për intensifikimin e marrëdhënieve me Urdhrin Sovran të Maltës

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.

Gjatë takimit, Presidenti vlerësoi historinë e suksesshme dhe të frytshme të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, si një dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore.

Në takim u shpreh vullnet i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që Urdhri Sovran i Maltës i ka dhënë Shqipërisë përmes projekteve në fusha të ndryshme, si: shëndetësia, arsimi, ndihma sociale, emergjencat dhe mbrojtja civile, të realizuara nga trupa vullnetare e Malteser Albania, e cila funksionon në vendin tonë prej 3 dekadash.

Presidenti Begaj nënvizoi po ashtu frymën harmonike mes besimeve dhe feve në Shqipëri.

“Kjo harmoni është një trashëgimi historike për Shqipërinë, e cila ka dëshmuar një shembull në këtë drejtim. Me të njëjtën frymë mirëkuptimi, Shqipëria ka ndërtuar dhe marrëdhëniet me fqinjët ku ajo ka një rol te veçantë në rajonin e Ballkanit për ndërtimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe besimit të ndërsjellë”, shtoi ai.

Urdhri Sovran i Maltës nxit dhe mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe, në këtë kontekst, presidenti Begaj i shprehu falënderime Fra’ John T. Dunlap.

“Megjithatë, Evropa e Bashkuar do të ishte e paplotë pa Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Begaj.

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit theksoi se do të vlerësonte së tepërmi kontributin e Urdhrit Sovran të Maltës në zgjerimin e mëtejshëm të hartës së njohjeve zyrtare të pavarësisë së Kosovës, një kontribut për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkan.

Me qëllimin për të forcuar më tej lidhjet tashmë të konsoliduara të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës,
Presidenti Begaj u nderua me dekoraten Gjerdani i Urdhrit të Maltës “ Collar Pro Merito Melitens” nga Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.

Ndërkohë, Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com