AktualitetKosovaTë fundit

Albin Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Ndëshkoni Serbinë për provokimet!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e kësaj të enjteje të qeverisë, shprehu shqetësimet e tij për stërvitjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit.

Kurti ka deklaruar se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Ai u shpreh se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiç.

“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur”, u shpreh kryeministri.

Kurti shtoi se me këto lëvizje si dhe me blerjen e raketave nga Kina, sipas tij, Serbia përdor ushtrinë si një mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.

Pos tjerash, shefi i qeverisë po ashtu tha se këtë Serbia e bën edhe nga dëshpërimi. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të mos bien pre e këtyre “provokimeve”.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se “institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim”.

Po ashtu, Kurti i bëri thirrje botës demokratike që të marrin masa dhe ta ndëshkojnë Serbinë: “është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë dhe paqen rajonale”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com