“Mezi presim fillimin e gjykimit në themel”, Meta pas dërgimit të çështjes së tij për gjykim: Jam i paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Rama
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga rrjeti social Facebook pas vendimit të GJKKO-së për të dërguar për gjykim ditën e sotme të gjithë çështjen e tij dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.
Meta e cilësoi këtë gjykim si “me risi”, duke theksuar se drejtësia në Shqipëri funksionon me regji dhe se procesi i sotëm nuk është përjashtim. Ai akuzoi prokurorinë për moszbardhje të qëllimshme të së vërtetës dhe shtoi se vendimi i gjykatëses për të dërguar çështjen në gjykim njëkohësisht me listimin e veprimeve hetimore është një hap që lejon kryerjen e hetimeve të mëtejshme paralelisht.
Meta shprehu keqardhje për humbjen e gjashtë muajve kohë, pavarësisht dokumentimit të shumë pretendimeve të pavërteta nga ana e akuzës. Ai gjithashtu ftoi mediat dhe trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë të gjykimit, duke premtuar se do të çmontohet publikisht çdo gënjeshtër dhe falsifikim në dosje.

