“Lufta kundër korrupsionit, sfidë kryesore për integrimin”, Bardhi takon zv/kryetaren e CDU-së: Shqipëria nuk ka aleat më të çmuar në rrugën e saj sesa Gjermania
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi zhvilloi sot një takim në Berlin me Patricia Lips, zëvendëskryetare e Grupit Parlamentar të CDU në Bundestag, përgjegjëse për çështjet europiane.
Në këtë takim Bardhi shoqërohej nga deputetët e PD-së Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu.
Bardhi theksoi se me Lips u zhvillua një diskutim i hapur mbi standardet që duhet të përmbushë Shqipëria në procesin e integrimit, ku lufta ndaj korrupsionit dhe zgjedhjet e ndershme qëndrojnë në themel të këtij procesi.
Bardhi theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet sfida kryesore që pengon avancimin real të vendit drejt Bashkimit Europian.
“Një kulturë politike që shndërrohet në mburojë për korrupsionin jo vetëm dëmton besimin e qytetarëve, por edhe bllokon progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Shqipëria ndodhet në një moment kyç, ku është e domosdoshme të kalohet nga retorika te veprimi konkret”, theksoi ai.
Vlerat europiane, sipas Bardhit, nuk mund të mbeten thjesht deklarata në letër, por duhet të përkthehen në standarde të zbatueshme në praktikë, përmes reformave reale dhe rezultateve të matshme.
“Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian bazuar në meritë dhe në standarde që ndihmojnë mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Shqipëria nuk ka aleat më të çmuar në rrugën e saj sesa Gjermania”, tha Bardhi.
Fraksion.com

