AktualitetPolitikëTë fundit

‘Balluku’, Blushi: Komision hetimor për 4 miliard euro investime në infrastrukturën rrugore

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi  prezantoi sot nismën për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë dhe efikasitetit të investimeve në infrastrukturën rrugore.

Kërkesa e paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokratike ka në fokus akset e dëmtuara gjatë muajve të fundit, ku sipas Blushit, i një rëndësie të veçantë është segmenti Librazhd – Prrenjas, si pjesë e aksit juglindor dhe Korridorit VIII, pjesë e Korridoreve Evropiane.

“Dëmtime serioze patën segmentet Librazhd-Prrenjas, Qukës-Qafë Plloçë, Korçë-Ersekë, Unaza e Burrelit, Automotoparku Elbasan, Dardhë-Boboshticë, Vllahinë-Pocem, Lurë-Peshkopi, Kuç-Qeparo, Memaliaj-Tepelenë, Shëngjin-Velipojë, Tuneli i Llogorasë, Tuneli i Murrizit, e shumë vepra të tjera”, tha Blushi.

Sipas Blushit “këto dëmtime të akseve rrugore kanë qenë me pasoja të jashtëzakonshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, për transportin kombëtar e ndërkombëtar, si dhe për ekonominë në përgjithësi”.

“Gjatë periudhës 2014-2025 janë investuar në infrastrukturën rrugore rreth 4 miliardë euro, një vlerë shumë e lartë e investimeve publike. Këto vlera të larta të përdorimit të parave te taksapaguesve janë një detyrim i rëndësishëm për t’u mirëmbajtur dhe për të gjetur e analizuar gjithë faktorët e amortizimit të shpejtë të tyre, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë dhe rentabilitetit të investimeve sot dhe në të ardhmen”, tha Blushi.

Në këtë kuptim, Blushi theksoi se ngritja e këtij Komisioni Hetimor ka për qëllim që të zbardhë plotësisht të gjitha veprimet dhe mosveprimet institucioneve përgjegjëse në realizimin e veprave të tilla si dhe nxjerrjen e rekomandimeve për organet kompetente që personat përgjegjës të marrin përgjegjesitë përkatëse ligjore”.

Blushi theksoi se duhet të merren masa të përshtatshme që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Qëllimi i Komisionit Hetimor, sipas tij, “është që të mbledhë informacione të hollësishme mbi mënyrën e realizimit të investimeve publike dhe të rekomandoje përmirësimin e saj në të ardhmen, me qëllim rritjen e efektshmërisë dhe qëndrueshmërisë së investimeve publike.

Blushi sqaroi se puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale për personat e përfshirë në këtë çështje, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë.

Objekti i punës së komisionit, sipas Blushit, do të jetë verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve të Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe verifikimi dhe testimi i respektimit te standardeve të ndërtimit nga kompanitë ekzekutuese.

Komisioni propozohet të ketë 9 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 3 anëtarë do t’i përkasin grupeve parlamentare të opozitës dhe 5 anëtarë grupit parlamentar të mazhorancës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com