AktualitetTë fundit

Tritol makinës së policit në Lezhë, i dyshuari e mohon: S’kam gisht!

Zbardhet dëshmia e autor të dyshuar të shpërthimit me tritol në makinën e oficerit të krimeve në Lezhë. Gazetarja Xhensila Kodra raporton për BalkanWeb se Fatjon Rrika nuk ka pranuar autorësinë.

“Nuk kam gisht në këtë ngjarje”, mësohet të jetë shprehur ai.

Sakaq, grupi hetimor dyshon se ai mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të vendosur lëndën plasëse në mjet.

NJOFTIMI I POLICISE

Zbardhen autorësia dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv, automjeti i një punonjësi policie.

Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i krimit.
I arrestuari, shtetas me precedent në Itali, për vjedhje me armë.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.

Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi Fatjon Rrika, 32 vjeç.

32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal për babanë e shtetasit F. Rr., shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje.

Ciklomotori dhe arma e gjahut u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Vijon hetimi në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara penale, një shtetas që dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin, për kryerjen e këtij krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com