Tiranë, sekuestrohen 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë
Policia e Tiranës sekuestroi sot 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm në kuadër të operacionit të koduar “Synimi”.
Policia njoftoi se vuri në pranga një 46-vjeçar, i cili po transportonte armët dhe municione dhe dyshohet se i kishte marrë në fshatin Shëngjergj, me qëllim shitjen në Tiranë. 46-vjeçari U.M u arrestua në rrugën e fshatit Shëngjergj.
Sipas policisë, armët dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Policia bëri të ditur se vijon hetimi, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

