Rezoluta për Iranin si sponsor i terrorizmit, Redi Muçi në Kuvend: Hipokrizi e madhe, dënuat Teheranin dhe u ulët në gjunjë para Netanjahut
Parlamenti miratoi me votat e shumicës socialiste një rezolutë që shpall Iranin shtet financues të terrorizmit.
Opozita e bojkotoi seancën, ndërkohë që dy deputetët e vetëm të pranishëm në Kuvend nga partitë e vogla ishin Redi Muçi dhe Erald Kapri.
Muçi, i Lëvizjes Bashkë, një forcë politike e e ekstremit të majtë e quajti hipokrizi miratimin e kësaj rezolute teksa përmendi vizitën e pak javëve më parë të kryeministrit Rama në Izrael dhe takimin me Netanjahun.
Qëndrimi i tij sot në Kuvend ishte thuajse identik me ato të partive të ekstremit të majtë në vendet e BE-së, sa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme. Në të kundërt, maxhoranca dhe opozita në Tiranë, pavarësisht ndasive për çështjet e ditës, në këtë pikë nuk kanë dalluar nga njëra-tjetra dhe kjo u konfirmua edhe sot kur PD-ja edhe pse nuk shkoi në Kuvend, e shpalli Gardën Revolucionare të Iranit si terroriste.
Në fjalimin e mbajtur në Kuvend Redi Muçi tha se kryeministri u ul në gjunjë përballë një njeriu për të cilin ka një urdhër arresti ndërkombëtar për masakrat në Palestinë.
“Nuk ka hipokrizi më të madhe të na paraqisni këtë rezolutë ndërkohë që kryeministri juaj, e për turpin tim dhe të gjithë shqiptarëve edhe i yni, shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Beniamin Netanjahut, një njeri i cili ka një urdhër arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, dhe që e përdori shtetin e Izraelit për të masakruar 70.000 civilëve palestinezë ndër të cilët rreth 20.000 fëmijë”, tha Muçi.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë përmendi gjithashtu rezolutën për genocidin serb në Kosovë, të cilin maxhoranca nuk e ka votuar në Parlament.
“Që të jeni seriozë, para se të na paraqisnit këtë rezolutë, do të duhet të ishte miratuar para pak muajsh rezolutën që dënon genocidin e shtetit serb ndaj Kosovës”, tha më tej deputeti i Lëvizjes Bashkë.
Fjalimi i Muçit në Kuvend
Rezoluta që propozohet kërkon shpalljen e Republikës së Iranit si shtet që përdor mjete terroriste, ndërkohë vendet e Bashkimit Evropian, me të drejtë, kanë shpallur organizate terroriste gardën revolucionare për hir të gjithë atyre të rinjve e të rejave që kanë protestuar në rrugët e Tehranit dhe janë përballur me represionin e regjimit.
Do ishte në nderin e këtij Kuvendi dhe në nderin tuaj që anën e duhur ta mbanit jo vetëm kur u intereson më të fortëve, por edhe kur bëhet fjalë për të mallkuarve të kësaj bote, siç do thoshte Franc Fanoni.
Sepse nuk ka hipokrizi më të madhe të na paraqesni këtë rezolutë ndërkohë që kryeministri juaj, e për turpin tim dhe të gjithë shqiptarëve edhe i yni, shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Benjamin Netanjahut, një njeri i cili ka një urdhër arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, dhe që e përdori shtetin e Izraelit për të masakruar 70.000 civilëve palestinezë ndër të cilët rreth 20.000 fëmijë.
Kjo rezolutë duhet të përmbante edhe kërkesën për dhënien fund të konflikteve dhe luftës pa asnjë logjikë, pa asnjë plan, pa objektiva të qartë, por me pasoja të rënda ekonomike dhe destabilizuese për rajonin dhe botën. Është një luftë të cilën nuk e ka nisur NATO-ja, një luftë që nuk mbështetet nga asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as miratimin e Kongresit Amerikan.
Ne në Lëvizjen Bashkë e kemi denoncuar represionin e shtetit iranian ndaj popullsisë vendase këtu e 15 vite të shkuara. Që të jeni seriozë, para se të na paraqisnit këtë rezolutë, do të duhet të ishte miratuar para pak muajsh rezolutën që dënon genocidin e shtetit serb ndaj Kosovës.
Fraksion.com

