AktualitetTë fundit

I vuri tritolin automjetit të punonjësit të policisë, arrestohet 32-vjeçari në Lezhë

Një 32-vjeçar është arrestuar në fshatin Zhejë të Kurbinit i dyshuar si autori i vënies së tritolit në automjetin e punonjësit të policisë Gentjan Gjetja në rrugën “Besëlidhja” në Lezhë.

I arrestuari është Fatjon Rrika, i cili u prangos teksa po drejtonte të njëjtin ciklomotor që kishte përdorur 2 ditë më parë për të vendosur tritolin automjetit dhe për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Sakaq, në gjendje të lirë po hetohet dhe babai i 32-vjeçarit, pasi gjatë kontrolli në banesë, iu gjet një armë gjahu pa lejen përkatëse.Ndërkohë hetimet po vijojnë për identifikimin e një tjetër personi që dyshohet se ka bashkëpunuar me Fatjon Rrikën.

Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Zoomed In”.

Zbardhen autorësia dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv, automjeti i një punonjësi policie.

Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i krimit.

I arrestuari, shtetas me precedent në Itali, për vjedhje me armë.

Ai u kap duke lëvizur me ciklomotorin me të cilin kishte shkuar për të kryer shpërthimin.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.

Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi F. Rr., 32 vjeç.

32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal për babanë e shtetasit F. Rr., shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje.

Ciklomotori dhe arma e gjahut u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Vijon hetimi në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara penale, një shtetas që dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin, për kryerjen e këtij krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com