Hoxha: Rritje e partneritetit me Spanjën në tregti, turizëm dhe energji të qëndrueshme
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Spanjë, ku u prit nga homologu spanjoll, José Manuel Albares Bueno.
Rritja e partneritetit në tregti, turizëm dhe energji të qëndrueshme ishte në qendër të bisedës mes dy zyrtarëve të lartë.
Ndërsa dy vendet shënojmë 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe, Hoxha rikonfirmoi se bashkëpunimi ynë politik, ekonomik dhe kulturor vijon të jetë një shtyllë e fortë e një partneriteti të qëndrueshëm.
“Ramë dakord se ekziston një potencial i konsiderueshëm ende i pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona, të cilin jemi të përkushtuar ta zhvillojmë më tej, veçanërisht në tregti, turizëm, energji të qëndrueshme dhe fusha të tjera me interes dhe përfitim të ndërsjellë”, bëri të ditur ministri Hoxha.
Hoxha informoi se gjatë takimit u theksua rëndësia që dy vendet i kushtojmë multilateralizmit efektiv dhe koordinimit të ngushtë në forumet ndërkombëtare, teksa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta globale dhe për të promovuar paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ministri shprehu mirënjohjen ndaj Spanjës për mbështetjen e saj të palëkundur dhe të vazhdueshme ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe rikonfirmoi angazhimin tonë të fortë për avancimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Fraksion.com

