AktualitetPolitikëTë fundit

Kryedemokrati Sali Berisha tha se me ngjarjet e fundit siç ishte dhe rrëzimi i kërkesës së SPAK për të dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut, rrezikohet që shqiptarëve t’u mbyllen dyert në BE. Ai tha se rrezikohet që të anulohen të gjitha marrëveshjet e firmosura me BE-në deri tani. “Edi Rama ndërmori këtë veprim, një akt in ekstremis për të shpëtuar lëkurën e tij. Por viktimë tjetër madhore, në qoftë se SPAK ishte viktimë direkte, viktimë tjetër madhore e këtij akti është çdo qytetar shqiptar, i cili ka për aspiratë integrimin e tij në BE. Në të vërtetë, vendimet u morën në parlament me gjithë paralajmërimin më serioz të jo një, por disa vendeve anëtare të BE, se ato nuk mund të pajtohen kurrë me një vendim të tillë. Dhe se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, jo vetëm që ndalon, por edhe mund të shpërbëhet nga alfa gjer në alfën ku ka filluar. Kur themi këtë shpërbërje, do të thotë anulim i të gjitha marrëveshjeve të firmosura me BE-në, që nga viti 1992 që është marrëveshja e parë tregtare. Megjithatë, midis fatit të bardhë të shqiptarëve, integrimi në BE, sepse të themi atë që është, kjo fjala fat merr interpretime të ndryshme, por po të jetë për një popull si populli ynë, me problematikat që ka përjetuar, integrimi evropian, integrimi në NATO ishte fati i tij më i madh. Kështu që Edi Rama, pavarësisht nga paralajmërimet që mori, pavarësisht nga reagimet që mori, vendosi që para procesit të integrimit të zgjedhë mburojën e tij ligjore për vjedhjet që ka bërë, të mos dorëzohet para ligjit ai dhe as dhe rrethi i tij i ngushtë familjar. Por një gjë është prapë e qartë, se e gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, bëhet vetëm për Edi Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë familjar. Pra, çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzve me të cilët ka vjedhur, familjarëve të tij, Lindës së tij, baxhanakut dhe të tjerëve me radhë. Si rrugëdalje, ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin mbi bazë merite në BE, bllokimin e tij dhe kërkesën që bëri me Aleksandër Vuçiç për një integrim tregtar. Një marrëveshje tregtare me BE-në, por jo paketë politika dhe ligjet komunitare, thjesht një partneritet në tregti. Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Edi Rama kreu një akt ndër më të egrit armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Cilado që të jenë problemet e Shqipërisë, Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor në rrafshin strategjik, gjeostrategjik dhe politik me BE-në, që ka Serbia. Serbia, jo nga Shqipëria, por nga qëndrimet dhe historia e saj, është konsideruar dhe konsiderohet Rusia e vogël në Ballkan. Shqipëria nuk është konsideruar kurrë zonë influence ruse. Rusët bëjnë çdo përpjekje që TAP-i të dështonte, të mos kalonte nga Shqipëria, vetëm e vetëm se e dinin se gazi i tyre nuk mund të kalonte nga Shqipëria. Serbia ka probleme të mëdha politike për të zgjidhur, marrëdhëniet me fqinjët, me Kosovën dhe Bosnjen, me Republikën Srapska që e ka përdorur si një koloni, me kërcënime të mëdha për bashkim, etj, etj. Shqipëria nuk ka asnjë problem gjeopolitik me asnjë nga fqinjët tanë. Ka vetëm marrëdhëniet me të mira, më normale në të gjitha aspektet. Serbia nuk njeh gjenocidin serb në Srebrenicë, i shpallur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet dhe një kusht i vendeve demokratike për të afruar Serbinë. Shqipëria, falë ndërhyrjes së fuqishme të opozitës, votoi më së fundmi rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Pra, imagjinoni ju, përpjekjen e Edi Ramës për t’i zbardhur faqen Vuçiçit, në një kohë kur ai akuzohet si një nga pjesëmarrësit në safarin njerëzor në Sarajevë. Tani, argati i del në krah dhe shkruan letër të hapur me të për fatin e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve, në një marrëveshje tregtare me BE, që nuk është gjë tjetër vetëm Ballkani i Hapur. Një akt më antikombëtar se ky nuk mund të bëhet. Një akt i mirëfilltë antikombëtar.”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Berisha u prit nga një grup mbështetësish dhe disa deputetë të Partisë Demokratike para ambienteve të institucionit.

Ish-kryeministri përballet me akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme që lidhen me pastrimin e parave.

Pas daljes nga SPAK, Berisha deklaroi për mediet se kishte lënë një mesazh në SPAK.

“Drejtësia dhe ligji mund të vonojnë, por nuk harrojnë”, u shpreh ai.

Gjatë prononcimit të tij, Berisha ngriti pretendime për mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

Berisha deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ dhe ILD nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike në mbrojtje të institucioneve gjatë kritikave të Ramës, duke i cilësuar drejtuesit e tyre si “zyrtarë që nuk guxojnë të mbrojnë institucionet”.

Po ashtu Berisha preku edhe çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.

“Prokurorit të Përgjithshëm iu deshën dy vite për të nxjerrë një vendim për një çështje që, sipas meje, ishte e qartë që në javët e para”, tha Berisha.

Kreu i PD-së foli edhe për protestën e planifikuar të opozitës më 22 mars, duke e cilësuar
ditë frymëzimi për shqiptarët, pasi është dita, sipas tij, kur de facto me votë rrëzuan diktaturën më të egër që kishin njohur.

“22 marsi është dita në të cilën shqiptarët ftohen në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur Tirana dhe Shqipëria”, deklaroi Berisha duke shtuar se dyert e Evropës nuk mund t’i hapë askush veç shqiptarëve.

I pyetur në lidhje me ndryshimet lidhore të propozuara nga amzhoranca, Berisha tha se ato janë ndryshime antikushtetuese.

“Ne nuk bashkojmë kurrë asnjë votë me Edi Ramën. Kjo të jetë shumë e prerë”, përfundoi Berisha.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com