“Do rrisim kërkesat, të diskreditojmë PS në Parlament!” Berisha thirrje qytetarëve: Vërshoni më 22 mars në Tiranë!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vepron për interesa personale dhe për t’i shpëtuar drejtësisë. Sipas Berishës, Rama po e rreshton Shqipërinë në të njëjtin linjë me presidentin serb Aleksandar Vucic dhe Serbinë, vetëm për të mbrojtur veten nga ligji dhe për të fshehur, sipas tij, aferat me fondet dhe pasuritë publike.
“Rama e rreshton vendin me Vuçiçin dhe Serbinë vetëm për të shpëtuar nga ligji, për vjedhjet që ka kryer dhe për interesa personale,” u shpreh Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 22 mars të mblidhen në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë. “Ftoj çdo qytetar shqiptar që më 22 mars të vërshojë drejt Tiranës për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kësaj organizate të kryesuar nga Edi Rama, e cila ka interesa të paligjshme me fondet dhe pasuritë e shqiptarëve,” deklaroi kreu i PD-së.
“Ata kanë gjetur një mënyrë për ta mbyllur Parlamentin çdo 15 minuta. Por ne do të bëjmë gjithçka që Parlamenti të shndërrohet në tribunën e diskreditimit të tyre të plotë, ashtu siç e meritojnë,” u shpreh Berisha. Ai shtoi se deputetët e opozitës do të vijojnë gjithashtu takimet në terren me qytetarët për t’i dhënë, sipas tij, përgjigjen e duhur “këtij qëndrimi antishqiptar”.
Fraksion.com

