“Porto Romano, vital për Korridorin VIII”, Rama për anulimin e tenderit: Projekti nuk është kundërshtuar nga aleatët! Gati planin agresiv për të filluar ndërtimin e portit
Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit “Flasim” është ndalur edhe në projektin për Portin e ri të Porto Romanos.
Rama u shpreh se pavarësisht dezinformimeve dhe kritikave që janë përhapur në media, projekti është miratuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe nuk ka hasur kundërshtim nga aleatët strategjikë, duke përfshirë SHBA dhe BE. Ai nënvizoi se ndërtimi i portit të ri do ta vendosë Shqipërinë në hartën logjistike të Mesdheut dhe rajonit, duke e kthyer vendin në një nyje strategjike të transportit mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Kam një shënim të veçantë për sa i përket një çështje që ka marrë vëmendje mediatike dhe që, si të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote, kur marrin vëmendje mediatike në kohën që jetojmë mbulohen nga një mjegull e madhe marrëzish, fantazish, budallallëqesh, ligësish dhe me një fjalë të vetme, dezinformimi. E kam fjalën për çështjen e portit të ri tregtar dhe ushtarak të Porto Romanos.
Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, po për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8 dhe në ndërkohë, të gjitha këto sfumohen nga lumi i marrëzive që shqiptarët janë të detyruar të përballin përditë, në çdo orë, në çdo minutë, sa herë që kanë kontakt me 700 tenxheret politike dhe mediatike.
Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s.
Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha ai.
Fraksion.com

