AktualitetTë fundit

Plagoset minatori i kompanisë “Tete Albania”, aksident i rëndë në minierën e bakrit në Spaç

Një aksident i rëndë është regjistruar në minierën e bakrit në zonën e Spaç, ku ka mbetur i plagosur një minator që punonte për kompaninë “Tete Albania”.

Sipas informacioneve paraprake, minatori E.Gj është dëmtuar gjatë punës në galeri, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të ngjarjes. Pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.

Lajmi është bërë publik nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë. 

Ndaj kompanisë “Tete Albania Tunnel & Mining” ka patur vazhdimisht denoncime se operon në kundërshtim flagrant me rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit në punë. 

“Punëtorët detyrohen të kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre profesionale e fizike. Në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut. Masat parandaluese janë pothuajse inekzistente”, thuhet në reagimin e Konfederatës së Sindikatave.

Kujtojmë që “Tete Albania” u vu në qendër të akuzave disa muaj më parë pasi shkarkoi nga puna 61 minatorë si ndëshkim për grevën që ata po zhvillonin për paga më të larta dhe kushte pune dinjitoze. Minatorët akuzuan kompaninë gjithashtu për kërcënime, presion psikologjik dhe largime të padrejta nga puna. 

*Reagimi nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)*

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dënon me forcë situatën e rëndë dhe të papranueshme të sigurisë në punë në Minierën e Bakrit në Spaç, pas aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme ku minatori E.Gj., babai i pesë fëmijëve, u plagos rëndë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

KSSH i uron shërim të shpejtë punëtorit dhe shpreh solidaritet të plotë me familjen e tij dhe me të gjithë minatorët e kësaj miniere.

Ky aksident nuk është një rast i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi të rrezikshëm pune që ka kohë që denoncohet nga sindikata.

Sipas informacioneve dhe denoncimeve të vazhdueshme të punëtorëve dhe strukturave sindikale, kompania “Tete Albania Tunnel & Mining” sh.a. operon në kundërshtim flagrant me rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit në punë.

Punëtorët detyrohen të kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre profesionale e fizike. Në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut. Masat parandaluese janë pothuajse inekzistente.

KSSH ka denoncuar vazhdimisht edhe rolin e papërgjegjshëm të institucioneve shtetërore. Inspektoriati i Punës ka treguar paaftësi të theksuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe ka toleruar në mënyrë të vazhdueshme shkeljet e punëdhënësit. Kontrollet e kryera nga institucionet përgjegjëse janë shpesh formale dhe nuk garantojnë mbrojtjen reale të jetës së minatorëve.

Minatorët që kanë ngritur zërin për këto shkelje janë përballur me kërcënime, presion psikologjik dhe largime nga puna. Një shembull i qartë është greva e ligjshme e organizuar në tetor 2025, pas së cilës 61 minatorë u pushuan nga puna gjatë kohës së grevës. Ky veprim përbën një goditje të rëndë ndaj të drejtave sindikale dhe një precedent të rrezikshëm për të gjithë punëtorët në vend.

Institucionet vendore të policisë, prokurorisë dhe inspektoriatit të punës kanë heshtur përballë këtyre shkeljeve dhe në disa raste kanë ushtruar presion ndaj sindikatës dhe minatorëve, në vend që të mbronin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve.

Sipas informacioneve tona, minatori i aksidentuar ishte me profesion sondist, por ishte detyruar të punonte si minator për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, pas largimit të padrejtë të shumë minatorëve nga puna. Ky është një shembull i qartë i papërgjegjshmërisë së punëdhënësit dhe i rrezikimit të drejtpërdrejtë të jetës së punëtorëve.

KSSH kërkon një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent për këtë aksident, si dhe përgjegjësi konkrete nga kompania dhe nga institucionet shtetërore që kanë lejuar krijimin e kësaj situate të rrezikshme.

Gjithashtu kërkojmë transparencë të plotë mbi aktivitetin e kompanisë në këtë minierë, përfshirë procesin e licencimit, respektimin e detyrimeve ligjore dhe deklarimin real të shfrytëzimit të mineraleve bashkëshoqëruese të bakrit.

KSSH paralajmëron se nuk do të heshtë përballë shkeljes së të drejtave të minatorëve dhe rrezikimit të jetës së tyre.

Jeta e punëtorëve nuk mund të sakrifikohet për interesa ekonomike dhe për bashkëpunime të dyshimta mes kompanive dhe segmenteve të korruptuara të administratës shteterore.

Minatorët shqiptarë meritojnë siguri, dinjitet dhe respekt për jetën e tyre.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com