AktualitetPolitikëTë fundit

Ministra e Arsimit, Kumbaro: Njihen diplomat për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit

Nga Universiteti i Sporteve, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se studentët e diplomuar për fizioterapi në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit mund të ushtrojnë profesionin e tyre, falë zgjidhjes së një problematike ligjore të kahershme me këtë fakultet.

Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, tashmë profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në programin “Shkenca Rehabilitimi”. Pas miratimit të ndryshimit të VKM-së, këto diploma njihet zyrtarisht si kualifikim për ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, duke u dhënë mundësi të diplomuarve të regjistrohen dhe të punojnë ligjërisht në profesion.

“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë, me ditë të tëra, me rektorin dhe me dekanin, me Urdhrin e i Infermierit i Shqipërisë, i cili është një hallkë shumë e rëndësishme, siç e dini, si edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë diskutimeve dhe shkresave, dhe pasi rishikuam ligjin, gjetëm mënyrën për ta zgjidhur këtë çështje. Vij sot me shumë kënaqësi, sepse në mbledhjen e javës së kaluar, më 6 mars, qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme në VKM për profesionet e rregulluara, duke përfshirë qartësisht për profesionin e fizioterapistit edhe të diplomuarit në Shkencat e Rehabilitimit që lëshohet nga ky universitet. Më vjen mirë që vijmë me këtë konkluzion dhe me këtë lajm të shumëpritur nga ju, duke ju dhënë mundësinë edhe brezave që janë diplomuar, edhe ju që jeni në proces diplomimi”, bëri me dije ministrja Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se ky ndryshim ligjor do të ketë impakt pozitiv edhe në regjistrimet e reja në Universitetin e Sporteve.

“Unë besoj se ky është një lajm i mirë edhe për studentët që do të zgjedhin të regjistrohen në këtë degë. Vjen në kohën e duhur, sepse regjistrimet janë në vazhdim, kështu që ju garanton juve dhe atyre që do të vijnë mundësinë e integrimit në tregun e punës, njësoj si kolegët tuaj që diplomohen për fizioterapi në institucionet e arsimit të lartë të shëndetësisë që ofrojnë këtë formim”, tha Kumbaro.

Para këtij ndryshimi ligjor, diploma “Shkenca Rehabilitimi” nuk ishte e përfshirë në listën e specialiteteve për profesionin e fizioterapistit, gjë që krijonte vështirësi për të diplomuarit për t’u regjistruar në Urdhrin e Infermierit dhe për të ushtruar profesionin. Tashmë, profesioni i fizioterapistit mund të ushtrohet edhe nga studentët që diplomohen në këtë program. Në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit, në tre vitet e fundit akademike janë diplomuar 72 studentë, ndërsa në vitin akademik 2025–2026 janë aktualisht në proces studimi 256 studentë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa vlerësoi angazhimin për zgjidhjen e kësaj problematike që u mundëson studentëve të diplomuar në shkencat e rehabilitmit të integrohen në tregun e punës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Sporteve, ministrja Kumbaro tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë mbështetjen për Universitetin e Sporteve, duke e konsideruar atë aset kombëtar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com