AktualitetBota+Të fundit

Midis të gjitha fronteve: Libani një vend në arrati

Përshkallëzimi i luftës midis Izraelit, SHBA dhe Iranit ka shkaktuar një krizë të re refugjatësh në Liban. Zgjedhjet parlamentare u shtynë për shkak të luftimeve. Si e përjetojnë banorët vendas përshkallëzimin?

“Unë mora djalin dhe vajzën për dore”, thotë për DW Rola Atwi, një nënë 36-vjeçare nga periferia e Bejrutit, Haret Hreik. “Pastaj ne u larguam nga shtëpia. Pak më vonë ajo u shkatërrua nga një sulm izraelit”. Që atëherë familja jeton në rrugë në një lagje bregdetare në Bejrutin perëndimor. “Vajza ime ka epilepsi”, thotë Atwi. “Ajo pëson kriza, kur dëgjon zhurma të forta”. Mbrojtja e fëmijëve është tani detyra e saj më urgjente. “Ndihem e mpirë, krejtësisht bosh. Unë dua vetëm që vajza ime të jetë në siguri”.

Kurmilicia Hezbollah, e mbështetur nga Irani, sulmoi Izraelin pas vrasjes së liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei javën e kaluar, tërhoqi në luftë të gjithë Libanin.

Që atëherë situata në të dy anët e kufirit libanezo-izraelit është përkeqësuar. Në Izrael civilët goditen nga sulmet e Hezbollahut dhe nga sulmet iraniane. Megjithatë për shkak të sistemeve të mbrojtjes dhe strehimoreve duket sikur numri i viktimave civile mbetet i kufizuar.

Në Liban nga ana tjetër sulmet izraelite kanë shkaktuar një krizë humanitare të përmasave të mëdha. Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze që nga e hëna (09.03.2026) janë vrarë 486 vetë dhe rreth 1.300 janë plagosur.

Ministria e Shëndetësisë nuk bën diferencim mes luftëtarëve dhe civilëve. Të martën Kombet e Bashkuara e korrigjuan numrin e viktimave duke e rritur atë. 570 vetë ishin vrarë dhe më shumë se 750.000 ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

“Familjet, të cilat prej vitesh kanë vuajtur nga privime të mëdha, janë sërish në arrati. Mijëra janë të detyruar të flenë në makina ose në hapësira publike”, tha në një intervistë për DW Suzanne Takkenberg, drejtoreshë rajonale e organizatës së ndihmës Action Against Hunger for Libanon.

Rifillimi i luftimeve i jep faktikisht fund armëpushimit gjithsesi të brishtë midis Hezbollahut dhe Izraelit. Në nëntor 2024 një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA i dha fund luftimeve njëmbëdhjetë mujore dhe dy muajve lufte të hapur, në të cilën humbën jetën rreth 4000 njerëz. Gjatë kësaj kohe Izraeli kreu edhe një ofensivë tokësore në Liban.

Një ditë pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023 edhe krahu ushtarak i Hezbollahut sulmoi shtetin hebre. Hamasi dhe Hezbollahu i përkasin të ashtuquajturit “boshti i rezistencës”, një aleancë e grupeve të ndryshme në Lindjen e Mesme, e udhëhequr nga Irani, që e sheh Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara si armiq dhe bën thirrje për shkatërrimin e tyre. Hamasi dhe Hezbollahu janë klasifikuar si organizata terroriste nga SHBA, Gjermania dhe shumë vende të tjera.

Forcat e shpëtimit duke shuar zjarrin pas sulmit nga ajri ndaj një ndërtese në Bejrut, Liban.
Izraeli vazhdon sulmet nga ajri kundër Hezbollahut në LibanFotografi: REUTERS

Marrëdhënie e vështirë me Hezbollahun

Financial Times raportoi (10.03.2026) se fushata e Izraelit kundër Hezbollahut mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.

Ndërkohë politikanët libanezë po përgatiten për luftime më të gjata. Të hënën parlamenti libanez zgjati periudhën legjislative me dy vjet. Zgjedhjet parlamentare të planifikuara fillimisht për në maj u shtynë.

Parlamenti e konsideron joreale mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare në kushte lufte dhe shpërnguljesh masive. Në fillim të marsit qeveria libaneze ndaloi të gjitha aktivitetet ushtarake dhe të sigurisë të Hezbollahut. Vetëm shteti libanez mund të vendosë për çështjet e luftës dhe paqes, shpjegonte gazeta.

Megjithatë zëdhënësit e Hezbollahut vazhdojnë të shfaqen në kanalet televizive libaneze. “Ndikimi për më shumë se 20 vjet i Hezbollahut në shtetin libanez i ka mundësuar atij të zërë shumë poste të ndjeshme në gjyqësor, në aparatin e sigurisë dhe administratë dhe në këtë mënyrë të ketë mundësi të anashkalojë vendimet e shtetit”, thekson politologu Ralph Baydoun në një intervistë për DW.

Jo vetëm ushtria por edhe krahu politik i Hezbollahut është i ndërthurur ngushtë me rrjetin politik dhe financiar të Iranit, shpjegon Baydoun. Për më tepër qeveria libaneze dhe Forcat e Armatosura Libaneze (LAF) kanë pasur prej kohësh vështirësi në zbatimin e çarmatosjes së Hezbollahut, që rënë dakord në armëpushimin e nëntorit 2024.

Hezbollahu: rezistencë ndaj çarmatimit

Deri tani Hezbollahu ka dorëzuar një pjesë të madhe të armëve në jug të lumit Litani, por refuzon të çarmatoset plotësisht. Ai e justifikon këtë me nevojën për të mbrojtur vendin kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe pranisë ushtarake izraelite përgjatë kufirit të përbashkët.

Izraeli nga ana tjetër ka thënë se do të vazhdojë sulmet ndaj Hezbollahut, për aq kohë sa ai përbën kërcënim. “Hezbollahu nuk u pajtua kurrë me përpjekjet e forcave të armatosura libaneze për çarmatim”, tha Ralph Baydoun për DW. Në të njëjtën kohë ai thekson se gjashtë raketat, që shkaktuan konfliktin aktual, janë hedhur nga një pozicion në jug të lumit Litani.

Për presidentin libanez Joseph Aoun çarmatimi mbetet një çështje kryesore, edhe për arsye se ai lidhet me investimet ndërkombëtare, urgjentisht të nevojshme për rindërtimin pas dëmtimit nga lufta e mëparshme. Në atë kohë Banka Botërore i vlerësoi kostot në rreth njëmbëdhjetë miliardë dollarë amerikanë (9.5 miliardë euro).

Tym e flakë nga shpërthime prej sulmeve nga ajri në Bjerut, Liban
Bejruti vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve të Izraelit nga ajriFotografi: Houssam Shbaro/Anadolu Agency/IMAGO

Çarmatim përmes ofensivës tokësore?

Ushtria izraelite u bëri thirrje të martën të gjithë banorëve të Libanit jugor, që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe njoftoi se do të ndërmarrë “aksionin më të fortë” kundër Hezbollahut në jug. Megjithatë vëzhguesit dyshojnë se një ofensivë tokësore izraelite do të çonte në të vërtetë në çarmatimin e Hezbollahut.

“Historikisht dhe praktikisht Hezbollahu ndihet më rehat në një konfrontim tokësor”, thotë për DW Sami Halabi nga Instituti i Politikave Alternative në Bejrut. “Një ofensivë tokësore izraelite vështirë se do të ishte në gjendje të çarmatoste Hezbollahun. Përkundrazi do ta ankoronte atë edhe më fort në strukturën politike dhe të sigurisë së Libanit.”

Ngjashëm e vlerëson situatën edhe Ralph Baydoun. “Një invazion i limituar nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të forconte Hezbollahun. Sepse ideologjia e rezistencës fiton fuqi sidomos atëherë, kur toka është e pushtuar”, thotë ai për DW.

Situata humanitare po përkeqësohet

Ndërkohë popullsia libaneze, e cila që nga viti 2019 ka vuajtur nga një sërë krizash ekonomike dhe politike, ndodhet nën presione të reja si pasojë e konfliktit.

“Në Liban ka mungesë banesash dhe shërbimesh bazë, madje edhe forcat e shpëtimit vihen në shënjestër të sulmeve”, thotë për DW Kelly Petillo nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Sfida më e madhe është gjetja e rrugëve për të mbrojtur të gjithë popullsinë.

Abbass Saad, një 32-vjeçar banor i Bejrutit, e vlerëson gjendjen në mënyrë të ngjashme. “Ne jemi të pafuqishëm në këtë luftë”, tha ai për DW duke shtuar “Unë jam i ri dhe ambicioz. Por nuk mendoj, se gjendja e vazhdueshme e luftës që nga 7 tetori krijon kushte të mira për një jetë këtu”./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com