AktualitetTë fundit

Kultivuan mbi 10 mijë rrënjë kanabis, GJKKO dënon 5 anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli sot fajtor, pesë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, i cili u godit nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2023, pasi kishin kultivuar mbi 10 mijë rrënjë kanabis në Shkodër.

GJKKO i shpalli fajtor për akuzat e “kultivimit të lëndëve narkotike” të kryer në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, “shitje e prodhim narkotikësh” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Konkretisht, Arben Shpati u shpall fajtor për tre akuza, kultivim të lëndëve narkotike të kryer si grup i strukturuar kriminal, për të cilën u dënua me 10 vite burg, dhe për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, për të cilën u dënua me 12 vite burg. Për akuzën e grupit të strukturuar, GJKKO vendosi 3 vite burg. Si përfundim, ai në total u dënua me 13 vite burg, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 8 vite e 8 muaj burg.

Gjithashtu, Pavlin Shpati u shpall fajtor për tre akuza gjithashtu. Ai u dënua me 9 vite burg për kultivim të lëndëve narkotike, me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe me 3 vjet për grup të strukturuar kriminal. Në përfundim, GJKKO vendosi 10 vite e 6 muaj burg për të, por nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i ulet në 7 vite burg.

Aleksandër Rrasa u dënua gjithashtu për tre vepra penale. Me 8 vite burg u dënua për kultivim të lëndëve narkotike, me 12 vite për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe 3 vjet për grup të strukturuar kriminal. Në total u vendos dënimi me 12 vite burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, i ulet në 8 vite burg.

Ndërkohë, Jeton Kacoli u dënua 8 vjet për kultivim të lëndëve narkotike, 12 vite për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Për të tre akuzat u dënua me 12 vite në total, të cilit iu ul në 8 vjet përfundimisht.

Kristjan Plepaj u dënua me 8 vjet burg për kultivim të lëndëve narkotike, 12 vite për prodhim dhe shitje droge dhe 3 për grup të strukturuar kriminal. Nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 8 vite burg.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com