AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Në kontakt të vazhdueshëm me shqiptarët në Lindjen e Mesme, 17 të evakuuar

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një seancë dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi masat e marra nga autoritetet shqiptare për mbrojtjen dhe asistencën ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në rajon.

Kjo, sipas tij, “edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i qeverisë shqiptare dhe shërbimit të jashtëm në veçanti”.

Për këtë qëllim, Hoxha theksoi se që me fillimin e krizës, në ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, i cili në koordinim të ngushtë e të pandërprerë me përfaqësitë diplomatike në rajon, ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë”.

Hoxha theksoi se në në fillim të konfliktit në rajon rezultojnë të jenë 2962 shtetas shqiptar me qëndrim të përhershëm dhe 543 shtetas me qëndrim të përkohshëm.

Sipas tij, nga ambasadat janë kontaktuar drejtpërdrejt 2511 shtetas, 138 prej të cilëve kanë qenë të interesuar për t’u larguar. “45 shtetas janë planifikuar të largohen individualisht dhe 17 të tjerë janë evakuar përmes bashkëpunimit me vende të tjera”, shtoi ministri Hoxha.

Sipas tij autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët në këtë rajon, për të marrë informacionin e përditësuar në kohë reale mbi situatën e sigurisë.

“Ne analizojnë shqetësimet, nevojat, si dhe propozojmë masat që duhen marrë për qytetarët shqiptarë rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende”, shtoi Hoxha.

Pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, Hoxha nënvizoi se Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit shqiptarë atje.

“Jo se nuk kemi pasur respekt për stafet diplomatike, por sepse ka qenë e domosdoshme të kemi njerëzit tanë atje në terren, për të komunikuar e asistuar qytetarët tanë atje. Përfaqësitë tona kanë kontaktuar në mënyrë aktive me qytetarët shqiptarë të regjistruar në zonat e prekura, kanë organizuar procesin e regjistrimit vullnetar, kanë ofruar në mënyrë të vazhduar udhëzime për largimin nga zonat e rrezikut dhe duke koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi evakuimi”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se paralelisht, MEPJ dhe përfaqësitë diplomatike kanë bashkëpunuar me vendet partnere dhe shtetet fqinje për të mundësuar përfshirjen e shtetasve shqiptarë në operacionet e evakuimit të organizuara nga këto vende, duke siguruar kështu alternativa të sigurta për largimin e tyre nga rajoni.

Vështirësia më e madhe, sipas ministrit Hoxha ka qenë për shtetasit shqiptarë që ndodhen në Iran, vend ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike.

“Megjithatë kemi qenë në kontakt me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe Gjysmë Hënën e Kuqe në Iran për të vlerësuar mundësinë për çdo ndihmë dhe asistencë”, theksoi Hoxha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com