Dita e Verës, Bashkia Tiranë kalendar aktivitetesh festive
Dita e Verës është kthyer në një traditë të përvitshme feste për të gjithë grupmoshat. Aktivitetet dhe organizimet e parashikuara nga bashkia e Tiranës, me rastin e 14 marsit, e shndërrojnë kryeqytetin në një arenë argëtimi, muzike dhe kulture.
Dita e Verës këtë vit, do të ketë një program të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, sportive dhe gastronomike të shpërndara në disa nga hapësirat kryesore të qytetit.
Festimet do të paraprihen që në mbrëmjen e 13 marsit me një festë elektronike në Parkun Europa, pranë Sheshit Skënderbej, nga ora 18:00 deri në mesnatë, ku do të performojnë artistë dhe DJ të ndryshëm.
Në Sheshin Skënderbej do të krijohet një ambient festiv me instalacione artistike dhe aktivitete argëtuese për qytetarët. Një nga atraksionet kryesore do të jetë ekspozimi i makinave retro të dekoruara me lule natyrale, të cilat do të shërbejnë si instalacione dekorative dhe pika fotografike për vizitorët. Në këtë zonë do të vendoset gjithashtu një skenë me muzikë live dhe DJ, si dhe një hapësirë relaksi me oferta ushqimore dhe pije.
Ndërkohë, në Parkun Europa do të zhvillohet një koncert festiv me pjesëmarrjen e artistëve dhe grupeve muzikore si New Artist, Peter Pan Quartet, Niki Zaimi Band, Killua dhe Bleta Pertace, duke krijuar një atmosferë energjike për të rinjtë dhe qytetarët që do të frekuentojnë zonën.
Në segmentin midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë do të organizohen aktivitete nga Agjencia e Industrisë Kreative, të fokusuara në promovimin e projekteve artistike dhe talentit të ri në fushën e industrive kreative.
Pedonalja “Murat Toptani” do të mirëpresë aktivitetin “Putra në Festë”, i cili synon ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake përmes fushatave sensibilizuese, aktiviteteve për familjet dhe prezantimeve nga organizata që punojnë për mbrojtjen e kafshëve.
Në bulevardin përballë instalacionit “Reja” do të organizohet Artisan Fest, një panair me rreth 20 stenda artizanale ku do të ekspozohen dhe shiten produkte tradicionale të punuara nga artizanët e qytetit. Aktiviteti do të shoqërohet me punëtori të hapura për publikun dhe performanca nga Ansambli Popullor i Qendrës Kulturore Tirana.
Njëherësh, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të zhvillohet Food Festival, një panair gastronomik me kuzhina të hapura që do të ofrojnë ushqime tradicionale shqiptare. Programi i aktivitetit përfshin edhe aktivitete edukative për fëmijët, gara kulinare dhe biseda interaktive mbi ushqyerjen e shëndetshme.
Një instalacion artistik i ballokumes, simbol i Ditës së Verës, do të vendoset në urën lidhëse të bulevardit, ku qytetarët do të kenë mundësi të realizojnë edhe fotografi në një hapësirë të dedikuar “photobooth”.
Zona nga Piramida drejt Kryeministrisë do të shndërrohet në një Sport Zone, ku do të zhvillohen aktivitete sportive si volejboll, tenis, futboll, ping-pong, basketboll, si dhe demonstrime nga sporte si taekëondo, judo dhe mundje. Në këtë zonë do të organizohet gjithashtu një koncert festiv.
Në Parkun Rinia do të zhvillohet aktiviteti komunitar Garage Sale, ku fëmijët do të kenë mundësi të shkëmbejnë ose të “tregtojnë” lodrat dhe librat e tyre, ndërsa animatorë dhe aktivitete argëtuese do të shoqërojnë programin gjatë ditës.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të organizohet panairi i luleve “Lule të bukura ka Tirona”, me instalacione artistike me lule natyrale dhe pjesëmarrjen e bizneseve të luleve të qytetit.
Ndërkohë, përballë Pallatit të Kongreseve do të krijohet një zonë e dedikuar për biçikletat, ku do të zhvillohen punëtori falas, demonstrime teknike dhe aktivitete që promovojnë mobilitetin urban.
Në Sheshin Nënë Tereza do të organizohen aktivitete edukative për sigurinë rrugore, me punëtori për familjet dhe fëmijët, demonstrime të ndihmës së parë dhe prezantime nga shërbimi zjarrfikës.
Festimet do të kulmojnë me një Street Party në zonën e Ish-Bllokut, e cila do të nisë në orën 12:00 dhe do të zgjasë deri në mesnatë, me performanca nga artistë dhe DJ të ndryshëm.
Bashkia Tiranë, në njoftimin për mediet thekson se programi i aktiviteteve synon të krijojë një festë gjithëpërfshirëse për qytetarët e Tiranës dhe vizitorët, duke ndërthurur traditën, artin, gastronominë, sportin dhe aktivitetet komunitare në disa nga hapësirat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Fraksion.com

