Berisha: Sot Rama shënoi fundin e tij politik, më 22 mars protestë kombëtare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot pas seancës plenare të Kuvendit ku u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, se kryeministri Edi Rama shënoi sot fundin e tij politik.
Berisha falënderoi protesutesit e PD që sipas tij morën pjesë në protestë për të mbrojtur institucionet dhe interesat e vendit.
“Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra dhe gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë. Keni ardhur këtu në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe në mbrojtje të interesave të çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimet e marra nga mazhoranca tregojnë dobësim politik të kryeministrit.
“Sot, Edi Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike. Shënoi fundin e tij politik dhe firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit”, deklaroi Berisha.
Berisha u ndal edhe te votimi në Kuvend për deputeten Belinda Balluku, duke thënë se vendimi i marrë nga mazhoranca ishte në funksion të mbrojtjes politike.
Sipas tij, reagimi i qytetarëve dhe protestat kanë ndikuar në ekspozimin politik të qeverisë.
“Është puna juaj, është qëndresa juaj, është protesta juaj që bëri që sot ai të dalë para shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se opozita dhe mbështetësit e saj do të vijojnë protestat paqësore, duke e cilësuar periudhën aktuale si “pranverën e fitores” për ndryshim politik në vend.
Berisha tha se zhvillimet e fundit përbëjnë një thirrje për mobilizim qytetar.
“Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij. Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore gjer në largimin e tij nga pushteti”, u shpreh Berisha, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
Ai bëri thirrje për bashkim të qytetarëve për ndryshim politik.
“Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do këtë vend të bashkohet për të larguar një minutë e më parë qeveritarin më të poshtëruar që kanë pasur në historinë e tyre, Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Berisha shtoi se opozita do të vazhdojë protestat paqësore, ndërsa e cilësoi këtë periudhë si moment vendimtar politik.
“Kjo është pranvera jonë. Kjo është pranvera në të cilën ne duhet të fitojmë, do të fitojmë. Kjo është pranvera në të cilën ne do t’i rikthejmë shpresën e madhe Shqipërisë. Do ta rivendosim Shqipërinë në rrugën e dinjitetit, në rrugën e integrimit, në rrugën e lirisë”, tha ai.
Berisha gjithashtu bëri thirrje për protestën e radhës të Partisë Demokratike.
“Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Të vazhdojmë kryengritjen paqësore gjer në fitore Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare”, tha Berisha.

