AktualitetPolitikëTë fundit

Veliaj kërkon lirimin nga burgu, Gjykata Kushtetuese cakton datën e seancës

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 20 maj për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt.

Kryebashkiaku i Tiranës i është drejtuar Kushtetueses për të kërkuar heqjen e masës së arrestit me burg.  Ndërkohë sot SPAK ka pranuar një tjetër kërkesë të Veliajt, duke i dërguar në qeli aktet hetimore të dosjes.

Pas vendimit të GJKKO-së në seancën e parë të gjyqit, SPAK urdhëroi BKH-në që t’i vendosë në dispozicion Veliaj të gjithë dosjen hetimore, një kërkesë të cilën kryebashkiaku nuk kishte arritur ta fitonte gjatë gjithë seancave paraprake, pavarësisht kërkesave të përsëritura të tij.

Veliajt i janë dërguar me furgon në qelinë e burgut të Durrësit të gjitha materialet, 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe.

Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa, edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje, më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com