AktualitetPolitikëTë fundit

PS nis riorganizimin e strukturave, përfshirin edhe diasporën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot pas mbledhjes së Kryesisë së PS se, procesi i riorganizimit të partisë do të nisë së shpejti në të gjithë vendin.

Klosi u shpreh se ky proces do të fillojë me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave dhe do të vijojë me zgjedhjen e forumeve lokale të PS-së.

Sipas tij, ky është një proces që tashmë zhvillohet çdo dy vjet në PS dhe synon riforcimin e të gjithë strukturës së partisë në të gjithë vendin.

“Është një proces që do të përfshijë të gjitha forumet e PS-së, të zgjedhurit e saj dhe natyrisht do të shtrihet në çdo qelizë të partisë në të gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do të kemi diskutime për përfshirjen e të gjithë anëtarëve të Asamblesë së PS-së”, u shpreh Klosi.

Ai shtoi se ky proces do t’i hapë rrugë edhe zgjedhjeve të reja, por edhe anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.

“PS gjithmonë ka kërkuar rifreskim të strukturave dhe anëtarësisë. Të gjitha këto zhvillohen edhe në vitin e 35-të të jetës së PS-së. Më 12 qershor të këtij viti shënohet 35-vjetori i Partisë Socialiste dhe i gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë me një rivlerësim të kontributeve të anëtarësisë së PS-së, themeluesve, kontribuuesve dhe natyrisht anëtarëve të rinj të partisë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ky proces do të përfshijë të gjitha strukturat e PS-së, përfshirë Kongresin, Asamblenë dhe Kryesinë, Klosi theksoi se statuti i partisë përcakton zgjedhjet në forumet lokale.

“Statuti përcakton zgjedhjet në forumet lokale të partisë vendore, prandaj i gjithë procesi do të kanalizohet në zgjedhjet e organizatave dhe në zgjedhjen e drejtuesve lokalë të PS-së. Por natyrisht do të ketë edhe një dimension të ri, që tashmë nga zgjedhjet e kaluara e kemi evidentuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm për funksionimin e brendshëm të partisë, që është partia në diasporë”, tha ai.

Sipas Klosit, do të ketë një vendimmarrje edhe për shtrirjen e strukturave të PS-së dhe organizimin e degëve të saj në diasporë, kryesisht në vendet ku partia ka marrë numrin më të madh të votave.

“Mos harrojmë se PS pati një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nga vota e diasporës dhe kësaj vote ne do t’i përgjigjemi me një organizim strukturor, duke krijuar strukturat tona kudo që shqiptarët ndjekin, votojnë dhe mbështesin PS-në”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrimi i PS ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, si dhe nëse do të ketë kosto politike për qëndrimin ndaj Belinda Ballukut, Klosi tha se PS e ka shprehur qartë pozicionin e saj.

“Kjo parti ka shprehur qartazi qëndrimin e saj. Në asnjë rast nuk kemi pasur diskutime për sa i përket organeve të drejtësisë së re. Mbështetja për drejtësinë e re ka qenë në themelet e kësaj periudhe të strukturimit dhe funksionimit të PS-së. Mos harrojmë se kemi ardhur në pushtet në vitin 2013 me një nga premtimet më të mëdha, reformën në drejtësi, reformë që ia kemi ofruar qytetarëve shqiptarë dhe vazhdojmë ta mbështesim”, deklaroi ai.

Sipas tij, PS qëndron e baraslarguar nga vendimmarrjet e drejtësisë.

“Ne qëndrojmë 100% në këtë parim dhe nuk involvohemi në asnjë proces hetimor. Sa i përket raporteve të tjera, ato janë raporte që i takojnë Parlamentit shqiptar. Por për sa i përket hetimeve, në asnjë rast nuk do të kemi pengim të tyre dhe nuk komentojmë hetimet apo vendimmarrjet e organeve të drejtësisë së re”, përfundoi Klosi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com