“Kërkojmë drejtësi për pronën”, banorët e Rrjollit para SPAK: Nuk pranojmë asnjë marrëveshje pa u zbardhur e vërteta!
Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës, protestuan sot përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër ndërtimit të një resorti turistik në Baks Rrjoll.
Ata kërkojnë nga SPAK verifikimin e punës së prokurorëve e gjykatës së Shkodrës dhe të vërtetohet se pronat janë në pronësi të tyre dhe jo të një personi që ua ka dhënë ato një investitori që ky i fundit të ndërtojë një resort turistik në fshatin e tyre.
“Banorëve nuk po u lejohet që të trajtojnë pronën e vet si pronën e tyre. Kërkojmë informacion, që të dimë se çfarë po ndodh me këtë kallëzim që kemi bërë. Minimalisht duhet të dëgjohen banorët për problematikën”, u shpreh përfaqësuesi i tyre ligjor.
Banorët deklarojnë se kanë tokën me dokumentacionet e duhura dhe se tokat janë në pronësi të tyre.
Një banor tjetër tha se “mua më kanë grabitur pronën, me letra fallse. Unë jam autokton aty. Unë dua drejtësi. Prona është e jona, është e shenjtë”.
“Jam banor i fshatit Baks-Rrjoll. Kemi ardhur për të kërkuar vetëm drejtësi, është e treta herë që vijmë këtu dhe SPAK nuk po na përgjigjet dhe nuk po na kthen asnjë lloj përgjigje për atë që kërkojmë”, tha një tjetër banor.
“Kërkojmë të zbardhet e vërteta, nëse toka është e jona le ta gëzojmë ne. nuk kam shpresë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, kemi bërë edhe kallëzim në SPAK, por SPAK-u ia dërgoi për moskompetencë Shkodrës. Po shkojmë drejt gjakderdhjes”, u shpreh një banor.
Prej disa javësh banorët po protestojnë kundër ndërtimit të resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
Fraksion.com

