“Barushi më ngriti dorën në rrugë dhe e mora…”, të shtënat me armë gjatë aksionit për kapjen e mikut të Licëve, shoferi: Nuk e dija që…
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar pak ditë më parë nga Policia e Shtetit në Shkodër, për kapjen e shtetasit Bajram Bregu, i njohur dhe me emrin Barush, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri gjatë ndjekjes nga forcat e policisë dhe më pas u arratis.
Sipas burimeve policoe, Bregu po udhëtonte në një automjet të drejtuar nga Ervis Baba, 43 vjeç, së bashku me një 17-vjeçar. Patrulla e forcave “Shqiponja” u ka bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe shtoi shpejtësinë.
Dyshohet se në një rrugicë të lagjes Kiras, Bajram Bregu, i cili njihet si person i afërt më anëtarët e fisit Lici, ka zbritur nga automjeti dhe, ndërsa po largohej me vrap, ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë, me qëllim kanosjen e uniformave blu.
Menjëherë pas incidentit, policia rrethoi zonën, por i dyshuari arriti të largohej duke përfituar nga rrugicat dhe oborret e brendshme të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit.
Në kuadër të operacionit u arrestua drejtuesi i mjetit, Ervis Baba, i cili gjatë marrjes në pyetje ka mohuar se ka njohje me Bajram Bregun. Ai ka deklaruar para hetuesve se e kishte marrë rastësisht në makinë një person që i kishte bërë shenjë në rrugë.
“Një person më nxori dorën në rrugë teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora, por unë nuk e njoh se kush ishte. Nuk kam asnjë lidhje me të dhe nuk e di nëse ishte Bajram Bregu apo dikush tjetër”, mësohet të ketë thënë 43-vjeçari për policinë.
Ndërkohë, 17-vjeçari që ndodhej në automjet nuk ka dhënë asnjë detaj për ngjarjen, duke mbajtur heshtje gjatë marrjes në pyetje.
Gjatë kontrolleve në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi një gëzhojë plumbi, si dhe një pistoletë me karikator që u gjet pranë zonës ku dyshohet se ndodhi incidenti. Megjithatë, ekspertiza paraprake ka treguar se gëzhoja e gjetur nuk korrespondon me armën e sekuestruar, çka ka shtuar dyshimet se Bajram Bregu mund të ketë pasur edhe një armë tjetër me të cilën ka qëlluar para se të arratisej.
Bajram Bregu vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa ndaj tij ka pasur edhe më parë procedime për vepra të tjera penale.
Fraksion.com

