SPAK kërkon arrestimin e ish-zv.kryeministres/ Manja prezanton raportin e PS: Narrativa e SPAK se mund të prishë provat apo të arratiset, hipotetike! Balluku u shkarkua!
Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ka prezantuar sot raportin në kuadër të kërkesës së SPAK, që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut. Në prani të socialistëve, Manja pohoi se narrativa e SPAK se Balluku mund të prishë provat apo të arratiset, është hipotetike, pasi ajo tashmë është shkarkuar nga funksionet e saj dhe është vetëm deputete.
Sot që po diskutojmë këtë raport, ka ndodhur një realitet i ri. Jemi përpara një realiteti të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale.
Edhe narrativa e SPAK, mbi të cilën është ndërtuar kërkesa, si “rreziku i prishjes së provave” apo arratisja, mbetet hipotetike. Kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik. Ndaj është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet.
Të nderuar kolegë, kërkesa e SPAK në fakt, në rastin e Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për heqje lirie apo kontroll banese, pasi nuk është kërkesë për masë sigurimi për herë të parë.
Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti i vitit 2024.”, tha ai.
Fraksion.com

