AktualitetPolitikëTë fundit

Sot seanca e parë në themel ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj

 Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zhvillojë sot seancën e parë në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se seanca do të mbahet në orën 09:30 dhe do të drejtohet nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri. Në trupin gjykues do të jenë gjithashtu gjyqtaret relatore Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Gjykata e Posaçme vendosi më 9 shkurt kalimin për gjykim të çështjes ndaj Veliajt dhe 28 personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje hetimore.

Akuzat ndaj Veliajt

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Sipas prokurorisë, ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, 12 akuza.

Nga hetimet paraprake rezulton se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në nëntë raste të ndryshme kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Sipas SPAK, këto subjekte kanë përfituar më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Hetimet kanë evidentuar se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ka miratuar me firmën e tij shpërndarjen e fondeve publike, të cilat më pas kanë përfunduar tek organizata jofitimprurëse të kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe persona të afërt me të.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë përfituar gjithashtu pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme nga subjekte që kishin marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në këto rrethana, SPAK vlerëson se veprimet e tyre përbëjnë elementë të veprave penale të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal që lidhen me korrupsionin dhe dhënien e përfitimeve të parregullta për shkak të detyrës.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com