Mjegulla e dendur mbulon Kukësin, vështirësi në qarkullim
Orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në Kukës janë shoqëruar me mjegull të dendur, e cila ka mbuluar pothuajse të gjithë qytetin dhe zonat përreth. Që në agim, mjegulla përfshiu lagjet, ndërsa sheshet dhe rrugët u mbështollën nga një perde e trashë gri që kufizonte ndjeshëm dukshmërinë për drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët. Në disa segmente rrugore, sidomos në hyrje-daljet e qytetit dhe në rrugët që lidhin Kukësin me zonat përreth, dukshmëria ishte shumë e ulët, duke e bërë qarkullimin më të vështirë për drejtuesit e automjeteve.
Në këto kushte, ajri i ftohtë dhe i lagësht qëndron i bllokuar në luginë, duke bërë që mjegulla të zgjasë për disa orë, deri në momentin kur rrezet e diellit fillojnë të ngrohin atmosferën dhe të përmirësojnë dukshmërinë.

