I tha deputes Vokshi “për ty kam numrin 0900″ – Grupi Parlamentar i PD kërkon përjashtimin me 60 ditë të Taulant Ballës nga Kuvendi
Grupi Parlamentar i PD ka njoftuar se ka bërë një kërkesë për marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Njoftimi i PD:
Në datën 05.03.2026, ora 10:00 është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është shprehur: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pa pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi.”. Kjo gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, në kushtet e marrjes së masave nga kryetari i Kuvendit, edhe ndërprerjen e seancës plenare.
Rregullorja e Kuvendit ka referuar në mënyrë të përsëritur tek Kodi i Sjelljes së Deputetit, miratuar me vendimin nr. 61/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, i cili në nenin 3 ka parashikuar se: “Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, duhet: ë) të jetë model për zgjedhësit dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në politikë;”. Ndërsa, neni 5 i Kodit parashikon: “1. Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, shfaq standardet më të larta të sjelljes së qytetëruar, dinjitoze dhe të etikës parlamentare korrekte.”.
Lidhur me rastet e ngacmimit seksual të çfarëdo forme, neni 10 i Kodit të Sjelljes së Deputetit ka sanksionuar: “1. Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër, si dhe krijon një mjedis pune shqetësues, të paqëndrueshëm, armiqësor dhe frikësues. Për qëllim të këtij neni, sjellja e deputetit përfshin dhe nuk kufizohet në veprime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual.”.
Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 62, 63, 65/1 dhe 65/2 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, dhe neneve 3, 5, 6 dhe 10, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla.
Kërkesa është firmosur nga 20 deputetë të Grupit Parlamentar të PD, që ishin të pranishëm në seancë kur ndodhi situata e rëndë dhe e paprecedent.
Fraksion.com

