Betohen ministrat e rinj të kabinetit qeveritar
Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Brigadave.
Pas leximit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin, ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë sipas formulës së betimit: “Betohem në nderin tim se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”.
Albana Koçiu u betua në postin e zv/kryeministres.
Ferit Hoxha u betua në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Besfort Lamallari u betua si ministër i Punëve të Brendshme.
Ermal Nufi u betua si ministër i Mbrojtjes.
Toni Gogu u betua si ministër i Drejtësisë.
Enea Karakaçi u betua si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Erjona Ismaili u betua si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar u propozuan nga kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së në 26 shkurt.
Presidenti Begaj dekretoi më datë 4 mars ndryshimet në kabinetin qeveritar, të cilat u miratuan dje me shumicë votash nga Kuvendi.

