“Ajo gjuhë i shkon një njeriu pa moral”, Berisha: Taulant Balla, kriminel që trafikonte prostituta! Fliste me Mario Çelën për…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat nga selia blu, ka reaguar për gjuhën e përdorur një ditë më parë nga Taulant Balla ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.
Berisha e akuzoi Ballën për lidhje me krimin dhe e cilësoi atë si pjesë të një organizate kriminale, që sipas tij drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Berishës, Balla është përmendur në denoncime të ndryshme për lidhje me trafik prostitucioni dhe me elementë të krimit të organizuar, duke pretenduar se për këto raste ekzistojnë edhe materiale në dosje gjyqësore.
“Taulant Balla është personi i cili për të nxitur vrasje në Elbasan ka urdhëruar të vendoset revole në murin e oborrit të një familjeje për ta quajtur revole të fshehur. Ai është krimineli që ka liruar bashkë me Vath Stakën dy terroristët që i vendosën Lulzim Kullës tritolin nën shalën e biçikletës, kjo është në dosje. Urdhërohet nga Suel Çela që bashkë me Vath Stakën të lirojnë terroristët që vendosën tritol dhe ata u liruan. Taulant Balla është krimineli i cili është i dokumentuar duke biseduar me Mario Çelën, vëllanë e Suel Çelës, ku ankohet për Sali Berishën dhe e nxit kundër meje. Ai është krimineli që po bën çdo përpjekje të lirojë vëllanë e Suel Çelës, po bën përpjekje për ta nxjerrë. Ai është krimineli që u mor me lirimin e automjeteve me të cilat u sollën 5 milion euro për kartelin e drogë Çela. Ai është krimineli që në biseda me Mario Çelën zotohet se do arrestojë kundërshtarët e grupit Çela që ata të garantojnë votat”, u shpreh ai.
Duke komentuar gjuhën e përdorur nga Balla ndaj Vokshit, Berisha tha se ajo reflekton, sipas tij, sjelljen e një politikani që nuk respekton normat morale dhe ligjore.
“Autori i vërtetë i asaj rrugaçërie është Edi Rama”, deklaroi Berisha në përfundim të reagimit të tij.
Fraksion.com

