AktualitetPolitikëTë fundit

Seancë pyetje-përgjigje me ministrat Kumbaro dhe Salla në Kuvend

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare të radhës, e cila nis me një seancë pyetje–përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.

Më pas, deputetët do të zhvillojnë seancë pyetje–përgjigje me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, po me kërkesë të deputetit Erion Braçe.

Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për shtesë në ligjin ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, nismë e deputetes Evis Kushi.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin ‘Infrastruktura bashkiake V – faza II’”.

Në rend dite është edhe projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, si dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë’, të ndryshuar”.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin që propozon ndryshime në taksat kombëtare si dhe projektligjin për një ndryshim në ligjin ‘Për financat e vetëqeverisjes vendore’”.

Po ashtu, në rend dite është projektvendimi “Për një shtesë në vendimin ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’, i ndryshuar”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com