AktualitetPolitikëTë fundit

Peleshi: Nuk ka procedurë të përshpejtuar për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit,

Mazhoranca dhe opozita debatuan sot në seancë plenare lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi deklaroi se nuk ka asnjë procedurë të përshpejtuar në procesin e miratimit të ndryshimeve të rregullores ku priten propozime nga të gjitha palët.

“Lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. Nuk ka ndonjë procedurë të përshpejtuar. Kemi disa propozime që do të ndjekin procedurën normale. Janë paraqitur pranë Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit dhe do të mbledh në vijim edhe kryetarët e grupeve parlamentare për të shkëmbyer mendime lidhur me këto propozime”, tha Peleshi.

Peleshi sqaroi se disa propozime janë diskutuar me të gjitha palët paraprakisht edhe pse ky nuk është një proces i ezauruar pasi nuk është marrë dakordësia nga të gjithë.

Duke replikuar në seancë plenare, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cilësoi provokime, propozime për ndryshime në Rregullore të paraqitura nga PS.

“Ndryshimet e Rregullores që keni sjellë janë një provokim i ulët ndaj opozitës, sepse kjo nuk është shtëpia private e Taulant Ballës apo Edi Ramës, por është Kuvendi i shqiptarëve dhe këtu përfaqësohen të gjithë shqiptarët”, tha Bardhi.

Rregullat e bashkëjetesës në Kuvend, sipas tij, nuk caktohen nga forca e kartonit por nga dialogu dhe konsensusi mes palëve.

“Nëse keni një rast konkret me kë i keni diskutuar nga opozita thuajani opinionit publik sepse ju nuk keni diskutuar asnjë ndryshim me opozitën kur i miratuat ndryshimet para 4 muajsh. Ju thamë ndaluni, se po shkelni Kushtetutën dhe ju me një vendosmëri të bindur për të shkelur dokumentin themeltar të shtetit vijuat. Sot duhet të kërkoni ndjesë që me vetëdije dhe ndërgjegje keni shkelur Kushtetutën për të injoruar dhe dhunuar opozitën në Kuvend”, iu drejtua Bardhi kryetarit të Kuvendit.

Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se nismat për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit janë të bazuara plotësisht në të drejtën që çdo deputet ka sipas rregullores për të propozuar ndryshime.

Balla theksoi se këto propozime janë pjesë e një procesi normal parlamentar dhe do të diskutohen e përmirësohen gjatë javëve në vijim, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përshtatjes së punës parlamentare me fazën në të cilën ndodhet Shqipëria në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se deri më tani Kuvendi ka miratuar mbi 27 ligje që lidhen me përafrimin me legjislacionin europian, pa përdorur procedura të përshpejtuara.

Sipas Ballës, në të ardhmen do të duhet një diskutim më i gjerë për procedura të thjeshtuara dhe mekanizma që lehtësojnë reflektimin e ndryshimeve ligjore gjatë procesit të integrimit.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com