Franca lejon avionët amerikanë në disa baza në Lindjen e Mesme
Franca ka lejuar avionët amerikanë në disa nga bazat e saj në Lindjen e Mesme pasi sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit shkaktuan konflikt rajonal, tha të enjten ushtria franceze.
“Si pjesë e marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara, prania e avionëve të tyre është autorizuar përkohësisht në bazat tona” në rajon, tha një zëdhënëse e shtabit të përgjithshëm ushtarak për AFP.
“Këta avionë kontribuojnë në mbrojtjen e partnerëve tanë në Gjirin Persik.” Franca ka një bazë ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe avionë të stacionuar në Jordani, si dhe një bazë ajrore pak jashtë rajonit në Xhibuti.
Presidenti Emmanuel Macron tha të martën se operacionet ushtarake SHBA-Izrael në Iran që nga e shtuna ishin kryer “jashtë ligjit ndërkombëtar”.
Por ai ia hodhi fajin kryesor republikës islamike për konfliktin që është përhapur që atëherë në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, fillimisht refuzoi t’u lejonte amerikanëve të përdornin bazat ajrore të Mbretërisë së Bashkuar. Por më vonë ai pranoi një kërkesë të SHBA-së për të përdorur dy baza ushtarake britanike për një “qëllim mbrojtës specifik dhe të kufizuar”. (AFP)
Fraksion.com

