AktualitetTë fundit

Efektivi i Dibrës plagoset gjatë operacionit, dërgohet te Trauma! Trafikanti i drogës e hedh nga muri, vihet në pranga

 Operacioni për arrestimin e Klodian Mazarit, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh, nuk shkoi sipas parashikimit për efektivët e Dibrës.

Gjatë aksionit për ta vënë në pranga, polici i forcave ‘Shqiponja’ Gentjan Meda u godit nga 35-vjeçari i njohur edhe me mbiemrin Llomi. I riu i dënuar në Itali, e ka shtyrë nga muri efektivin, i cili ka marrë lëndime të rënda.

Efektivi Meda është sjellë me helikopter për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Klodian Mazari banues në fshatin Kërçisht të Maqellarës është dënuar nga Gjykata e Apelit të Romës ku i ka mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 7 muaj e dy ditë burg. Por, ai do ta vuajë dënimin në Shqipëri, pasi Gjykata e Apelit e ka njohur vendimin e Gjykatës së Apelit në shtetin fqinj.

Veprat penale për të cilat 35-vjeçari është shpallur fajtor, janë kryer në zonën e Casertës midis viteve 2016 dhe 2017.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari).,  35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të  Romës në Itali, ku  ka  për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.

Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com