Sukses i përkohshëm për partinë Alternativa për Gjermaninë
Vendimi erdhi pas kërkesës urgjente të AfD-së e cila u pranua në thelb, njoftoi gjykata. Vendimi mund të ankimohet në instancën më të lartë përkatëse, në Gjykatën e Lartë Administrative për landin Nordrhein-Westfalen në Mynster.
Sipas vlerësimit të gjykatës me një siguri të mjaftueshme mendohet se brenda AfD-së zhvillohen përpjekje të drejtuara kundër rendit demokratik dhe liberal. Megjithatë kjo nuk e karakterizon partinë “në një mënyrë të tillë që, në tërësinë e saj të mund të konstatohet një prirje themelore armiqësore ndaj Kushtetutës”.

Klasifikimi nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës
Pas një shqyrtimi disavjeçar Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e klasifikoi AfD-në vitin e kaluar si “të sigurtë ekstremiste të djathtë”. Dyshimi se partia ndjek synime që drejtohen kundër rendit demokratik dhe liberal është konfirmuar dhe në pjesë thelbësore është konsoliduar në bindje të plotë, njoftoi asokohe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
AfD-ja ndërmori hapa ligjorë kundër këtij klasifikimi. Ajo paraqiti padi dhe parashtroi një kërkesë urgjente në Gjykatën Administrative të Këlnit, sepse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka selinë atje në këtë qytet. Me këtë padi AfD-ja synonte që përmes gjykatës t’i ndalohej Zyrës Federale ta klasifikonte, ta rendiste dhe ta trajtonte si ekstremiste të djathtë.
Tani pas vendimit Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk ka të drejtë që deri në një vendim gjyqësor përfundimtar, ta quajë publikisht AfD-në si parti të sigurtë ekstremiste të djathtë./DW
Fraksion.com

