Siljanovska-Davkova: Integrimi në BE, investim për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Shkup, se nuk ka investim më të madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Presidentja Siljanovska-Davkova e cilësoi vizitën si konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, duke theksuar se ato ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë, besimin, partneritetin dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane.
Ajo nënvizoi se dialogu politik mes dy vendeve është i hapur dhe i bazuar në mirëkuptim.
Duke u ndalur te bashkëpunimi ekonomik, Presidentja vlerësoi se ekziston hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe një potencial i pashfrytëzuar mes komuniteteve të biznesit.
Ajo theksoi nevojën për intensifikimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe përmirësimin e lidhshmërisë ndërkufitare.
Sa i përket integrimit evropian, Presidentja theksoi se perspektiva evropiane e Shqipërisë është më afër se më parë dhe shprehu mbështetje për përparimin e mëtejshëm të vendeve të rajonit drejt BE-së.
Ajo nënvizoi se anëtarësimi kërkon thellim të reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike, në përputhje me kriteret e Kopenhagenit dhe procesin e evropianizimit.
Në fushën e sigurisë, ajo vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, duke theksuar kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes në nivel rajonal dhe më gjerë.
Presidentja Siljanovska-Davkova bëri të ditur se vizitës i ishte bashkuar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në arsim dhe shkencë, si dhe për thellimin e lidhjeve mes institucioneve akademike dhe kulturore të dy vendeve.
Fraksion.com

