Punime intensive për stabilizimin e aksit Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë pas rrëshqitjes së dherave
Autoriteti Rrugor Shqiptar po punon me ritme të larta në disa fronte, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, pas rrëshqitjes së dherave që preku segmentin, me synim stabilizimin e zonës dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në qarkullim.
Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe vlerësimin teknik të zonës së prekur.
Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes në zonë.
Sipas ARRSH-së, pas përfundimit të studimit gjeologjik do të kryhet edhe ripunimi i projektit të zbatimit për këtë aks rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në afatgjatë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren për stabilizimin e plotë të situatës.
Fraksion.com

