“Nuk e kemi luksin të frenohemi”, Rama: Pezullimi i ministrit, ndërhyrje brutale në territorin e ekzekutivit, sfida për balancën mes pushteteve
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Shqipëri ka nisur një “lëvizje sportive prokurorësh”, të cilët, sipas tij, janë turrur në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK-ut, duke ndërmarrë veprime hetimore të pajustifikuara.
Në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS-së, Rama tha se janë prerë fletëarreste në tufa për çështje që siç u shpreh ai, në rastin më të mirë, nuk përbëjnë fare vepra penale dhe, në rastin më të keq, në vende të tjera hetohen në gjendje të lirë.
Ai përmendi si shembull rastin e Durrësit, ku sipas tij, u lëshuan dhjetëra e dhjetëra fletëarreste, pa u kursyer as një punonjëse shteti, e cila prej pesë vitesh është në luftë me kancerin dhe nënë e një fëmije 2-muajsh.
“Ka filluar një lëvizje sportive prokurorësh në Shqipëri, të cilët janë turrur për garën për mandatin e ardhshëm të SPAK-ut, duke prerë fletëarreste në tufa për çështje që, në rastin më të mirë, nuk janë fare çështje penale dhe, në rastin më të keq, kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë; si rasti emblematik i Durrësit, ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletëarrestin. Ndërkohë, dhjetëra e dhjetëra fletëarresti të prera nuk kursyen as një punonjëse model të shtetit, 5 vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë 2-muajsh në gji”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal dhe te një rast tjetër të cilin e cilësoi emblematik në Tiranë, ku një ndërtues pa leje, të cilit i është konfiskuar objekti për t’u përdorur nga një agjenci shtetërore, ka kallëzuar shtetin, ndërsa prokuroria ka hapur çështje penale ndaj punonjësve që kanë ndjekur procedurat për vendosjen e agjencisë në atë godinë.
“Një ndërtues pa leje që duhej të përgjigjej para drejtësisë dhe të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar aty brenda një agjenci shtetërore, ka gjetur rrugën e prokurorisë për të kallëzuar shtetin. Dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që bënë procesin për të futur agjencinë e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje”, u shpreh Rama.
Rama tha se deklaratat e tij mund të interpretohen si ndërhyrje në drejtësi, por theksoi se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje, por për një shqetësim lidhur me kufijtë kushtetues mes pushteteve.
“Tani me siguri do të thonë që sapo ka ndërhyrë në punën e drejtësisë. Por në asnjë mënyrë, jo! Unë këtu sot do të them vetëm një të mijtën e atyre që kam në fakt për të thënë për ndërhyrje jo vetëm të pajustifikueshme, por edhe të panevojshme të gjyqësorit në punën e ekzekutivit dhe legjislativit, bashkë të pajustifikueshme, sepse shteti ka tre pushtete të pavarura dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e të tjerëve, shteti nuk funksionon si duhet. Dhe kjo vlen kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e pushtetit gjyqësor dhe po njëlloj vlen kur pushteti gjyqësor ndërhyn në punët e pushtetit ekzekutiv”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se shumica qeverisëse i dha pavarësi reale pushtetit gjyqësor, pas më shumë se 100 vitesh shtet shqiptar, duke e cilësuar këtë si një reformë historike. Ai shtoi se nuk bëhet pishman për këtë proces, pavarësisht, sipas tij, “bombave artizanale” që kurdisen nga prokurorë dhe gjyqtarë të ndryshëm.
“Por përpara do të them se pikërisht sepse ne e besojmë që Kushtetuta demokratike e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha kushtetutat demokratike të Europës, ku duam të bëjmë pjesë, thonë se ka tre pushtete të pavarura, dhe se tre pushtetet e pavarura nuk mund të jenë në letër siç ishin deri para se ne të bënim gjithçka kemi bërë, por duhet të jenë në realitet, kjo parti, kjo shumicë qeverisëse, i hyri “detit në këmbë” dhe, pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor. Prandaj dhe unë, që e kam udhëhequr kokëfortësisht partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësimin e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht lloj-lloj bombash artizanale që kurdisen nga lloj-lloj prokurorësh e gjyqtarësh lart e poshtë nëpër Shqipëri, të cilët shija e pavarësisë reale i deh, u mjegullon arsyen, u errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë minimalisht shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut, se maksimalisht ka edhe më keq, por nuk do të zgjatem këtu”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, rreziku aktual nuk qëndron tek cenimi i pavarësisë së gjyqësorit nga pushtetet e tjera, por tek mundësia që gjyqësori të cenojë funksionimin e ekzekutivit dhe legjislativit.
“Ndaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që ekzekutivi apo legjislativi të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, por që gjyqësori të gjymtojë jo thjesht pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar.
Ai theksoi se raste të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera dhe nuk janë të panjohura në historinë e zhvillimeve të drejtësisë, por shtoi se Shqipëria nuk e ka luksin të frenohet në rrugën e saj të zhvillimit.
“Dhe kjo ka ndodhur në vende të tjera. Nuk është diçka e panjohur në historinë e zhvillimeve të drejtësisë. Por kjo nuk mund të ndodhë në këtë vend. Sepse ky vend, që është në ngjitje të vazhdueshme, nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet e jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte”, shtoi Rama.
Rama e cilësoi si “ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera” pezullimin e një ministri nga një prokuror dhe një gjyqtar, me vendim të një seance paraprake, pa një gjyq të zhvilluar, duke e konsideruar këtë si një rast të paprecedent.
“Çfarë është, përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjyqtar, me një vendim të një seance paraprake, pa gjyq, i pandodhur në historinë e botës?”, deklaroi Rama.
Fraksion.com

