Kërkesa e SPAK për Ballukun, Rama mbledh sot deputetët dhe Qeverinë në Pallatin e Brigadave
Këtë të enjte, do të zhvillohet një tjetër mbledhje e përbashkët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, në të njëjtin format dhe në të njëjtin vend ku u mbajt edhe takimi i 16 janarit, në Pallatin e Brigadave.
Deputetët janë njoftuar të paraqiten në orën 11:00 për të dëgjuar raportimet e ministrave sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë.
Në fokus të diskutimeve pritet të jenë edhe dy çështje kryesore, qëndrimi që do të mbajë mazhoranca në seancën plenare të javës së ardhshme lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, Belinda Balluku, si dhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi ndryshimet e miratuara me procedurë të përshpejtuar në fillim të legjislaturës së re për komisionet parlamentare.
Pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në seancën plenare do të paraqiten dy raporte mbi kërkesën e SPAK për Ballukun.
Partia Demokratike ka deklaruar votën pro dhënies së autorizimit, ndërsa përfaqësuesit socialistë janë shprehur se masa aktuale e pezullimit ndaj saj është e mjaftueshme dhe nuk pengon vijimin e hetimeve.
Megjithatë, mazhoranca pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar mbi çështjen e Ballukut, e cila ka dominuar debatin politik muajt e fundit, një zhvillim i paralajmëruar edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Agjenda:
11:00-Hapja e Mbledhjes
-Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH Edi Rama
-Raportimi i Ministrave
Raporti i Ministrit të Financave Petrit Malaj
Raporti i Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores Majlinda Dhuka
Raporti i Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj
Raporti i Ministres së Shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni
dhe Antikorrupsionin
Raporti i Ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu
Raporti i Ministrit të Mbrojtjes Piro Vengu
Raporti i Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala
Raporti i Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro
Raporti i Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo
Raporti i Ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari
Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH Taulant Balla.
Pas mbledhjes të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit Taulant Balla paralajmëroi se do të jetë mbledhja më e parë e grupit që do të vendosë për kolegen e tyre Belinda Balluku.
Vetë Rama dhe deputetët e tij do të dëgjojnë relatimin e Ulsi Manjës, bazuar në atë çfarë u parashtrua prej prokurorëve të SPAK në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Për momentin trendi i qëndrimit të socialistëve anon nga mos dhënia e dritës jeshile kërkesës së SPAK për marrjen nga Parlamenti i autorizimit për arrestimin e zonjës Balluku.
Nëse kjo do të jetë ajo çfarë do të vendos shumica socialiste, atëherë do të jemi përballë rastit të dytë kur Partia Socialiste e Edi Rama nuk lejon arrestimin e një ministri të tyre.
Në vitin 2017 socialistët për kërkesë e ish Prokurorisë të Krimeve të Rënda, votuan vetëm për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të punëve brendshme Saimir Tahiri dhe vijimin e hetimeve por jo për arrestimin e tij.
Fraksion.com

