AktualitetPolitikëTë fundit

“Prej mbi 1 ore mbledhje me dyer të mbyllura”, Këshilli i Mandateve për imunitetin e Ballukut, debat për kërkesën e SPAK

Këshilli i Mandateve është mbledhur sot në orën 10:00 për të diskutuar kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

SPAK po përfaqësohet në këtë mbledhje nga tre prokurorë, drejtuesi i institucionit Klodian Braho si dhe dy prokurorët që po hetojnë zv.kryeministren, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Po ashtu kanë mbërritur avokatët e Ballukut, Pamela Qirko dhe Ardian Kalija.

Mbledhja ka nisur me debate, pas kërkesës së Partisë Demokratike për t’a zhvilluar atë me dyer të hapura.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se 2 muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku. “Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren” – është shprehur Bardhi.

Gazment Bardhi ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit që mbledhja të jetë e hapur dhe media të lejohet ta ndjekë atë. Duke respektuar kërkesën e prokurorisë për të ruajtur sekretin hetimor, mendoj se mbledhja duhet të jetë e hapur dhe vetëm për raste kur prokurori dëshiron të ndajë me Këshillin një të dhënë që përbën sekret hetimor, të vendoset që dhënia e atij informacioni të bëhet me dyer të mbyllura.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje” – mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi.

Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, me burg, në shtëpi ose kontroll banese.

Gjatë mbledhjes të pak ditëve më parë të grupit parlamentar të PS, Rama tha se “Parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin, më pas për ndryshimet ligjore.”

Me ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale që në Parlament kërkojnë 84 vota, gjykata nuk mund të ushtrojë ndaj presidentit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH, vetëm masën e pezullimit nga detyra.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për Tunelin e Llogarasë, teksa është edhe në hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com