Ministri Vengu pritet nga homologu hungarez: Forcojmë Aleancën për sigurinë kolektive
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut hungarez, Kristóf Szalay-Bobrovniczky.
Vizita nisi me pritjen solemne në Sheshin e Heronjve në Budapest. Ceremonia, me simbolikë të veçantë historike, shërbeu si moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën e forcave të armatosura shqiptare dhe hungareze, si dhe si dëshmi e vlerave të përbashkëta që lidhin dy vendet, lirinë, paqen dhe sigurinë kolektive.
Gjatë vizitës u theksua angazhimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Hungarisë në kuadër të Aleancës, si dhe bashkëpunimi konkret i trupave të dy vendeve që shërbejnë krah për krah në misione kyçe ndërkombëtare, përfshirë NATO Kosovo Force (KFOR) dhe European Union Force in Bosnia and Herzegovina (EUFOR ALTHEA).
Vizita konfirmoi vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në funksion të stabilitetit rajonal dhe euroatlantik.
Fraksion.com

