Mbyllja e aksit Librazhd-Pogradec, Kozeli: Ka rrëshqitje të tokës, presim rekomandimet nga shërbimi gjeologjik
Lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, pro edhe për këmbësorët.
Ai informoi se gjatë gjithë mbrëmjes është vijuar me punimet nga ana e kontraktorit dhe ka pasur ritme të mira.
“Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes; ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme”, informoi kreu i ARRSH.
Sipas tij, kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur. Kozeli njoftoi se ka shpresa të hapet ditën e nesërme.
“Jemi në pritje të rezultateve dhe rekomandimeve të shërbimit gjeologjik shqiptar. Rezultatet paraprake tregojnë se ka një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra. ky sezon dimëror ka qenë jashtë normales; çdo vit në këtë sezon të vitit ka probleme të rrëshqitjeve, por si kurrë më parë kemi qenë 3 muaj pa ndërprerje shirash”, theksoi kreu i ARRSH.
Kozeli informoi se gjithë dokumentacioni është i rregullt nga ana e kontraktorit.
“Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandimet për masat që duhet të ndërmarrim; më pas mblidhemi me këshillin teknik dhe të adresojmë zgjidhjen. Ura është e vitit ’97 dhe me dëmtimet që ka pësuar këto ditë e bën më të degraduar dhe jashtë funksionit”,-tha Kozeli.
ARRSH rekomandoi mbrëmjen e djeshme se drejtuesit e mjeteve duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbrit.
Fraksion.com

