AktualitetPolitikëTë fundit

Kreka: Katari partner me interes strategjik, të forcojmë lidhjet ekonomike

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidaten për ambasadore në Katar, Jeta Kreka.

Në prezantimin e vizionit të saj para anëtarëve të komisionit, Kreka u ndal te domosdoshmëria për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

Sipas saj, “në planin ekonomik marrëdhënia mes dy vendeve mbetet modeste në përmasa por me potencial të konsiderueshëm ekonomik”.

“Investimet e huaja direkte nga Katari përfaqësojnë rreth 0.03% të stokut total të investimeve të huaja direkte në Shqipëri me një stok prej 4.6 milionë euro dhe katër kompani aktive të përqendruara kryesisht në zonën Tiranë-Durrës në sektorin e ndërtimeve dhe pasurive të paluajtshme”, tha Kreka.

Edhe tregtia mes dy vendeve, sipas saj, “përbën më pak se 0.05% të volumit total të tregtisë së jashtme të Shqipërisë”.

“Në vitin 2024 Katari renditet i 63-ti ndër partnerët tregtar dhe i 109-ti si destinacion eksporti. Eksportet shqiptare mbeten minimale ndërsa importet lidhen kryesisht me produkte energjetike dhe plastike. Edhe trendi i vitit 2025 reflekton një rritje ekonomike të qëndrueshme por ende me peshë të ulët”, tha Kreka.

Edhe në fushën e turizmit, sipas saj, ka një treg me potencial të konsiderueshëm por të pashfrytëzuar plotësisht.

“Mungesa e lidhjeve të drejtpërdrejta ajrore kufizon aktualisht zhvillimin e këtij segmenti dhe pengon shfrytëzimin e plotë të potencialit turistik” shtoi ajo.

Por përtej shifrave modeste, Kreka solli në vëmendje faktin se Katari përfaqëson një partner me interes strategjik për Shqipërinë.

“Kapaciteti i tij i lartë investues dhe fondet sovrane e pozicionojnë Katarin si partner me potencial real në sektorë si energjia, infrastruktura, logjistika, turizmi, teknologjia e Informacionit dhe Inteligjenca Artificiale”, tha Kreka.

Ndaj sfidë sipas saj, mbetet kthimi i këtij potenciali në prani më të qëndrueshme investimi dhe në partneritete private afatgjata.

Për këtë Kreka u angazhua për promovimin aktiv të ndërtimit të urave të komunikimit mes aktorëve ekonomik, përfshi edhe organizimin e forumit ekonomik mes dy vendeve.

Duke u ndalur te marrëdhëniet politike, Kreka vlerësoi se sot marrëdhënia mes dy vendeve është në një moment shumë të mirë politik.

Por sipas saj, kjo marrëdhënie shumë e mirë politike duhet të përkthehet në projekte konkrete me ndikim ekonomik, institucional dhe shoqëror.

Kreka theksoi angazhimin për vendosjen e  një platforme të drejtpërdrejtë dialogu institucional mes dy vendeve, ndërsa solli në vëmendje kontributin konkret të Katarit për vendin tonë pas tërmetit të vitit 2019, si dhe mbështetjen me ndihmë mjekësore gjatë pandemisë së COVID-19.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com