“Kutia e votimit makth i opozitës”, Koçiu për protestën e opozitës: Tubim kundër Shqipërisë që punon
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar sërish në rrjetet sociale sot në 20 shkurt, në lidhje me dhunën në protestën e Partisë Demokratike.
Koçiu shprehet se kjo është e njëjta shfaqje e shëmtuar e PD-së, që kjo forcë politike ka bërë gjatë kohëve të fundit. Ajo shton se kutia e votimit është bërë makthi i vërtetë i opozitës, e cila në pamundësi për të fituar zgjedhjet, sheh rrugën si strehën e fundit të paaftësisë.
Sipas Koçiut, Berisha ka thirrur shqiptarë që të bëhen mish për top për marrëzinë e tij personale. Ajo nënvizon se kjo që po ndodh është një sabotim kombëtar dhe se tubimi është kundër Shqipërisë që punon.
Postimi i plotë i ministres së Brendshme Albana Koçiu:
Le ta themi troç, pa asnjë dorashkë: Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë.
Kush ka të drejtë, ka mbështetjen e popullit, jo bandën e huliganëve me pagesë. Kush ka ide, ka votën. Por kur kutia e votës të është kthyer në në makthin tënd më të madh që prej dy dekadash, atëherë e vetmja rrugë është dhuna si streha e fundit e paaftësisë.
Të thërrasësh shqiptarët të bëhen mish për top për marrëzinë tënde personale, ndërkohë që ata ta kanë dhënë përgjigjen me votë rresht për 20 vite, është kulmi i pafytyrësisë politike.
Ata thonë se kjo është një protestë qytetare? Cili qytetar i këtij vendi do të shihte qytetin e tij të digjej? Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim.
Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë. Kjo është një protestë kundër Shqipërisë që punon, kundër stabilitetit, kundër sigurisë së çdo familjeje dhe kundër imazhit të një vendi që sot respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare.
Ky nuk është opozitarizëm, ky është sabotim kombëtar nga ata që Shqipërinë e duan vetëm nëse mund ta kenë si pronë private, përndryshe duan ta shohin në flakë.
Dhe nesër, kur të dilni për të përgënjeshtruar turpin tuaj të sotëm e për t’ua shitur shqiptarëve dhunën si “ndjenjë lirie”, mendohuni mirë. Mendohuni dy herë, sepse Shqipëria nuk është më as ajo e 97-ës dhe as ajo e rrëmujës suaj mendore.
Fraksion.com

