KMSH: Dënojmë incidentin në Xhaminë e Namazgjasë gjatë protestës, besimtarë të pafajshëm u lënduan
Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar pas incidentit të ndodhur në protestën e opozitës ku në Xhaminë e Namazgjasë ra gaz lotsjellës.
KMSH-ja dënoi incidentin duke u shprehur se besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
Komuniteti Mysliman u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje në mënyrë që veprimet e tyre të mos cënojnë besimtarët ose qytetarët.
“Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë. Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, deklaroi KMSH-ja.
Në lidhje me këtë ngjarje reagoi mbrëmë edhe kryeministri Edi Rama, duke shkruar shkurtimisht në rrjetet sociale: “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…”
“Banditë me uniformë kanë hedhur bombola gazi dhe tymuese në xhami, në një kohë kur besimtarët po faleshin, këta xhelatë e mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të etërve të tyre barbarë. Ju bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj se kryengritja jonë paqësore nuk do ndalet. Ne do përballemi me kundërshtarin, që besimtarët mos prishin namazin”, tha ai.
Fraksion.com

