AktualitetTë fundit

Bllokohet totalisht aksi rrugor Librazhd- Prrenjas, rrezikohet shembja e urës

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndaluar qarkullimin e të gjitha makinave në segmentin Librazhd-Pogradec. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit për arsye sigurie pas vlerësimit në terren të gjendjes në vendin e quajtur Arrat e Gurrës.

ARRSH-ja njoftoi se për të lejuar qarkullimin ka nisur menjëherë ndërtimi i një bypass-i provizor.

“Në aksin Librazhd-Pogradec vendi i quajtur Arrat e Gurrës, pas vlerësimit në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie njofton se: Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment. Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve”, njoftoi ARRSH.

Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve mund të ndjekin rrugën alternative Maliq-Lozhan-Moglicë-Elbasan dhe anasjelltas për të arritur në destinacionet e tyre.

Segmenti në fjalë kishte krijuar problematika prej disa ditësh për shkak të rrëshqitjes dhe çarjes së rrugës. Sot u ndalua kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve, por siç duket kjo masë nuk ishte e mjaftueshme.

Si pasojë është spostuar një urë duke përkeqësuar situatën ndjeshëm gjatë 48 orëve të fundit. Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, tha për mediat se situata vjen si pasojë e lumit. Ai u shpreh se vendimi u mor pasi ura nuk është e sigurt.

“Ura në këtë moment nuk shfaq absolutisht siguri”, tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com