AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: Me rëndësi përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bordin e Paqes

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u ndal sot te përfaqësimi në Bordin e Paqes, ndërsa vlerësoi përfshirjen e vendeve nga Ballkani Perëndimor në këtë Bord.

I ftuar në një studio televizive, Vengu tha se gjeografia e pjesëmarrjes përfshin vende të Ballkanit Perëndimor, ku pesha e shqiptarëve në rajon është domethënëse.

“Bëri shumë mirë kryeministri Rama që e përdori si platformë për interesat e shqiptarëve në rajon”, tha ai, ndërsa shtoi se pjesë e Bordit të Paqes janë edhe vende të Azisë Qendrore me peshë në logjistikën globale dhe në vendimmarrjet në rajonet ku janë.

Lidhur me efikasitetin e këtij mekanizmi, Vengu theksoi se fluiditeti i aleancave sot detyron për mekanizma të tillë novatorë, të patestuar.

“Koha do ta tregojë efikasitetin, por duhen parë qëllimet, mandati dhe fakti se është mbështetur në një rezulutë të OKB-së. Vetë Presidenti Trump bëri mbështetje shumë të madhe për të rikthyer SHBA-në në Kombet e Bashkuara, mbështetje financiare që ishte tërhequr prej disa kohësh. Të gjitha këto janë instrumente për të rindezur mekanizmat ndërkombëtarë”, shtoi Vengu.

Sot, sipas tij, kemi një realitet ku Europa dhe SHBA janë shumë të forta për tematika të caktuara, por kanë edhe debat për tema të caktuara.

“Ju siguroj se në ministerialet e NATO-s ka tematika ku ka një linjëzim edhe më të fortë se më parë, siç është psh fakti se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Dhe ky është impulsi i administratës Trump që e ka mundësuar këtë gjë. Ky është edhe element pozitiv për çfarë po bën Shqipëria në drejtim të zhvillimit të industrisë ushtarake”, tha Vengu.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com