AktualitetTë fundit

Në një tunel në Shkodër kultivohej kanabis: “Neonët 9”, operacion me 3 të arrestuar

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin e koduar “Neonët 9”, duke e çuar në 14 numrin e rasteve të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.

Operacioni u zhvillua në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.

Në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u ushtruan kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit me anë të ndriçimit artificial, tharjes dhe përpunimit për shitje.

Gjatë operacionit, në lagjen “10 Korriku” u zbulua një ambient në formë tuneli, i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P.

Ambienti ishte i pajisur me sisteme ndriçimi dhe ventilimi, të furnizuara përmes lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike.

Nga kontrolli u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 254 pajisje të ndryshme elektrike dhe ndihmëse, mes tyre 126 llamba, 31 panele LED, 17 filtra ajri dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e bimëve.

Në flagrancë u arrestuan shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit. Gjithashtu, u vu në pranga edhe shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ndërsa tre të tjerë, shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, po hetohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

 

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com