Manastiri i restauruar i Shën Pjetrit dhe Pavlit, në Vithkuq
Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, i restauruar së fundmi, është monumet kulture si dhe një vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë.
Ndërhyrjet e realizuara për ruajtjen e këtij monumenti konsistojnë në restaurimin e çatisë së manastirit, punime gërmimi në konakë, punime restaurimi në qimitir dhe portik, sistemimin e ambienteve përreth, restaurimin e kalldrëmit, konsolidimin e muraturës, ndërtimin e një shkalle druri, restaurimin e afreskeve si dhe vendosjen e një sistemi të ri ndriçimi.
Manastiri i Shën Pjetrit, në fshatin Vithkuq, është ndërtuar në një kodër të lartë e piktoreske, në shekullin XVIII, rreth viteve 1764-1773. Ky manastir paraqet rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike, kulturore dhe fetare.
Kisha e Shën Pjetrit është e veshur nga afreske të mrekullueshme, me rreth 2000 piktura dhe me një ikonostas të veçantë. Ikonostasi i Shën Pjetrit është punuar me mjeshtëri të rrallë prej dy mjeshtërve nga Opari. Manastiri i Shën Pjetrit ka patur 50 dhoma, 400 deri 500 kokë dhen, 100 ha tokë, fshatin Leshnjë si çiflig, 25 dyqane në qytetin e Korçës dhe shumë pasuri të tjera. Tokën dhe dyqanet i kishte të dhuruara nga vithkuqarët, që për arsye të ndryshme largoheshin nga fshati.
Çdo vit, më 29 qershor, manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq kthehet në vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë, në nderim të dy shenjtëve për të cilët është ngritur manastiri dhe si ditë feste për ata persona që mbajnë këto emra.
Fraksion.com

